Lidhje

Presidenti Obama në Kongres për paketën e tij të stimulimit


Presidenti Barak Obama u takua sot në Kongres me udhëheqësit e opozitës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat për propozimin e tij prej 825 miliardë dollarësh për stimulimin e ekonomisë.

Presidenti përshëndeti me dorë dhe buzëqeshi për gazetarët ndërsa mbërriti për bisedime në Dhomën e Përfaqësuesve sot, një javë pas marrjes së detyrës. Ai më pas u takua me republikanët në senat.

Ligjvënësit republikanë kanë shprehur kundërshtime në rritje për këtë plan kaq të kushtueshëm, që parashikon rreth 250 miliardë dollarë shkurtim taksash dhe 550 miliardë dollarë shpenzime buxhetore. Pjesa e shpenzimeve në projektligj është e drejtuar për infrastrukturën publike, si riparimi i rrugëve dhe urave. Shpenzimet parashikojnë po ashtu investime në sektorë të tjerë si në shkencë dhe energji.

Republikanët thonë se ka disa zëra të panevojshëm në këtë projektligj, përfshi fondet për nismat e planifikimit familjar në kuadër të programit shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulta. Republikanët kërkojnë më shumë shkurtime taksash, që sipas tyre do të japin një nxitje të menjëherëshme në ekonominë e dobësuar amerikane. (ze)


XS
SM
MD
LG