Lidhje

Ekonomia: Obama takohet me republikanët e Kongresit

  • Dan Robinson

Në takimet që pati dje në selinë e Kongresit amerikan, Presidenti Obama u bëri thirrje republikanëve të pakicës të mbështesin projektligjin për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe të lejojnë që ai të mos hasë pengesa në procesin e miratimit.

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve nuk hoqën dorë nga kundërshtimi i tyre ndaj disa propozimeve në projektligj që ata i quajnë shpenzime pa kriter por përsëritën gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidentin.

Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve për projektligjin në fjalë është caktuar për sot ndërsa debati në Senat pritet të fillojë së shpejti. Çështja ka përparësi të madhe prandaj Presidenti Obama po përpiqet të kapërcejë kundërshtimet republikane ndaj planit të rigjallërimit ekonomik.

Presidenti tha se kishte patur një shkëmbim konstruktiv idesh me republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, duke shtuar se vazhdon të jetë optimist se projektligji do të miratohet në Kongres.

Përpara se të hynte në bisedime me republikanët e Senatit, zoti Obama foli për rezistencën që shumë republikanë po shfaqin lidhur me nivelin e shpenzimeve që parashikon paketa ekonomike dhe ndaj propozimeve të veçanta që përmban ajo. Kyçi, tha ai, është të lihet politika mënjanë për të lejuar miratimin e projektligjit.

"Ekzistojnë disa diferenca filozofike legjitime që republikanët kanë me disa pjesë të planit tim dhe unë e respektoj këtë. Në disa raste, ata mund të mos jenë dhe aq të njohur me përmbajtjen e paketës sa do të dëshiroja unë. Unë nuk pres miratim 100% nga ish kolegët e mi republikanë por shpresoj se ne të gjithë mund ta lemë politikën mënjanë dhe të bëjmë atë që kërkon tani populli amerikan."

Projektligji parashikon shpenzimin e 825 miliardë dollarëve për projekte të shumta brenda vendit dhe përfshin shkurtime taksash në masën 275 miliardë dollarë. Demokratët duan që projektligji të jetë gati për nënshkrim në treyzën e zotit Obama nga mesi i muajit shkurt.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve thonë se u inkurajuan nga fakti që presidenti vazhdon të jetë i hapur ndaj ndryshimeve që mund t’i bëhen planit.

Udhëheqësi i pakicës republikane, Xhon Bener tha se presidenti është i sinqertë në dëshirën për të bashkëpunuar me republikanët dhe se zoti Obama ndau me ta disa prej shqetësimeve të tyre rreth nivelit të shpenzimeve që parashikon plani.

Kryetari i grupit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, Erik Kantor u shpreh kështu:

"Një pjesë e mirë e shpenzimeve që përfshin projektligji, të them të drejtën, ndonëse në vetvete mund të jenë për t’u përshëndetur, nuk ka pse të jenë fare aty sepse ky projektligj duhet të përqendrohet vetëm e vetëm te ruajtja, mbrojtja dhe krijimi i vendeve të punës."

Në kritikat e tyre, republikanët e vunë theksin te vlerësimet e Zyrës Buxhetore të Kongresit, sipas së cilës vetëm 65 % e shpenzimeve që përmban paketa do të investohen në ekonominë amerikane gjatë 19 muajve të ardhshëm.

Drejtori i kësaj zyre, Dagllas Elmendorf u pyet në një komision të Dhomës së Përfaqësuesve për Buxhetin mbi ndikimin e mundshëm që do të kenë shpenzimet dhe shkurtimet e taksave të përfshira në paketë.

Ja si iu përgjigj ai pyetjes së republikanit nga Alabama Bob Aderholt:

ADERHOLT: "Çfarë përqindje e pjesës shpenzuese të paketës, pra e 500 miliardë dollarëve do të ndikojë sipas jush realisht në stimulimin e ekonomisë?
ELMENDORF: "Mendoj se e tërë paketa prej 800 miliardë dollarësh ka një farë efekti stimulimi. Niveli i stimulimit varet nga kategoria por e gjithë paketa, në tërësinë e saj ka ndikim."

Siç treguan komentet e djeshme të republikanëve, deri tani nuk ka shenja për ndonjë arritje me rëndësi në fatin e paketës ekonomike por presidenti Obama u tha gazetarëve se ai vazhdon të mirëpresë idetë konstruktive lidhur me projektligjin. //ii

XS
SM
MD
LG