Lidhje

Zyrtarët amerikanë të shqetësuar për rritjen ushtarake të Kinës


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, tha se Shtetet e Bashkuara po krijojnë aftësi ushtarake për t’iu kundërvënë rritjes së aftësive të Kinës për të kërcënuar forcat amerikane në Paqësor.

Zoti Gejts, i vetmi anëtar i kabinetit të ish Presidentit Bush, të cilit i është kërkuar të qendrojë në postin e tij, i bëri komentet dje përpara Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura.

Në dëshminë me shkrim që lexoi përpara Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, Sekretari Gejts tha se tani që Kina po modernizon ushtrinë e saj, ai është tepër i shqetësuar rreth përparimeve që ajo ka bërë në aftësitë për të sulmuar anije, nëndetëse dhe aeroplanë si dhe përparimeve në teknologjinë e raketave balistike, të armëve anti-satelitore dhe të luftës në eter. Ai tha se përparime të tilla mund të kërcënojnë mjetet kryesore të Amerikës për përdorimin e fuqisë së saj dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e aleatëve të saj të Paqësorit.

Gjatë seancës, duke iu përgjigjur pyetjeve të Senatorit nga Havai, Daniel Akaka, Sekretari Gejts foli rreth punës që po bën Departamenti i Mbrojtjes për t’ju kundërvënë aftësive të reja të Kinës.

"Ne kemi filluar një numër programesh që synojnë t’i kundërvihen disa prej përparimeve teknologjike kineze, të cilat mund të venë në rrezik aeroplanmbajtëset tona. Mendoj se po ecim mirë me këto programe dhe se kemi aftësitë e duhura për të përballuar çdo kërcënim të parashikueshëm kinez për një farë kohe në të ardhmen."

Sekretari Gejts vuri në dukje gjithashtu “disa përparime në marrëdhëniet amerikano-kineze të sigurimit”. Ai përmendi fillimin e një dialogu strategjik zyrtar, vendosjen e një linje telefonike direkte, të ashtuquajtur 'Hot Line,' me homologun e tij kinez dhe vazhdimin e shkëmbimeve ushtarake. Ai tha se e gjithë kjo do të ndihmojë udhëheqësit e të dyja palëve “të kuptojnë synimet e njëri-tjetrit dhe të shmangin kalkulimet e gabuara që mund të jenë të rrezikshme."

Zoti Gejts tha se edhe pse të zëna me luftrat në Irak dhe në Afganistan, Shtetet e Bashkuara zotërojnë "fuqi luftarake të gjera dhe të pashfrytëzuara” në Marinën dhe Forcat e tyre Ajrore për “të mposhtur çdo kundërshtar që kryen një akt agresioni.” Ai e quajti rrezikun e një lëvizjeje të tilla nga ana e Kinës, Koresë së Veriut apo çdo vendi tjetër, diçka që është e përballueshme por që nuk mund të mos përfillet.

Kina thotë se programi i modernizimit është pjesë e strategjisë së saj të “ngritjes paqësore”. Nga ana e tyre, zyrtarët dhe komandantët ushtarakë amerikanë kanë thënë se rritja e aftësive nuk çon patjetër në rritjen e kërcënimeve. Megjithatë, duke patur parasysh angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Taivanin që ai të mbrohet ndaj çdo sulmi të Kinës si dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e Japonisë e të Koresë së Jugut, zyrtarët amerikanë thonë se është e nevojshme që ata të ruajnë të njëjtin hap me avancimet teknologjike të ushtrisë kineze. //ii

XS
SM
MD
LG