Lidhje

Miçëll, sot në Izrael, do të bisedojë mbi procesin e paqes


I dërguari i ri amerikan në Lindjen e Mesme Xhorxh Miçëll shkon sot në Izrael ku do të bisedojë mbi rifillimin e procesit të paqes.

Zoti Miçëll pritet të takohet me kryeministrin Olmert dhe më pas do të shkojë në Bregun Perëndimor për t’u takuar me presidentin palestinez Mahmud Abas, por ai nuk ka në plan të takohet me zyrtarë të Hamasit.

Zoti Miçëll ishte dje në Egjipt ku ministri i jashtëm egjiptian Ahmed Aboul Gheit tha se ishte optimist që një armpushim i qëndrueshëm në Lindjen e Mesme mund të arrihej gjatë javës së parë të shkurtit.

Gjatë një interviste televizive të dhënë të hënën për televizionin Al Arabia, presidenti Barak Obama tha se janë pjekur kushtet për paqe në Lindjen e Mesme, nëse të gjitha palët në rajon luajnë rol në këtë proces.

Në Gazë, prishet armëpushimi

Dëshmitarë okularë në Gazë thanë se avionët izraelitë bombarduan tunelet që përdoren për kontrabandë përgjatë kufirit të Rripit të Gazës me Egjiptin, megjithë armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit.

Banorët thanë se bombardimet e sotme detyruan një numër banorësh të largohen nga shtëpitë e tyre.

Goditjet ajrore vijnë pas sulmit të djeshëm nga ana e militantëve palestinezë ndaj forcave izraelite që patrullonin kufirin mes Izraelit dhe Gazës. Një ushtar izraelit u vra nga shpërthimi i një bombe pranë një automjeti ushtarak.

Izraeli ndërmori një sulm ajror në Gazë dhe dërgoi përkohësisht trupa brenda këtij territori pas sulmit. Një palestinez u vra nga shkëmbimi i zjarrit me ushtarët izraelitë.

Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, deklaroi se Izraeli do të përgjigjet më me forcë dhe se pritet një kundërgoditje e mëtejshme.

XS
SM
MD
LG