Lidhje

Trojka Europiane, OSBE sërisht të shqetësuara për ligjin e dosjeve


Në Shqipëri përfaqësuesit e trojkës europiane: Çekia, e cila ka presidencën e radhës, Suedia, si vendi që do ta pasojë, dhe Komisioni Evopian, kanë kërkuar takim me qeverinë shqiptare për çështjen e ligjit të pastërtisë së figurave, i cili sipas tyre ngre disa shqetësime.

Përmes një deklarate të shpërndarë në Tiranë, Bashkimi Evropian thekson se ligji për pastëritinë e figurave ngre një sërë shqetësimesh si mbi procedurat ashtu edhe mbi përmbajtjen.

Bashkimi Europian thotë se ai i kushton rëndësi të madhe dialogut politik përgjatë spektrit politik duke shtuar se ky është një nga kriteret politike me rëndësi thelbësore për pranimin në Bashkimin Europian. Një tjetër çështje që nënvizohet, është se Brukseli, i kushton rëndësi të madhe një sistemi gjyqësor që është politikisht i pavarur dhe që funksionon mirë.

Një nga kritikat kryesore që i është bërë ligjit të dojeve në Shqipëri nga opozita është se ligji ndërhyn në sistemin e drejtësisë duke ju kundërvënë procedurave të shkakrkimit dhe emërimit të gjyqtarëve. Vëretjet e Bashkimit Europian pasojnë kritikat e forta të Shteteve të Bashkuara, OSBE-së dhe Këshillit të Europës për këtë çështje. Por qeveria shqiptare ka këmbëngulur se ligji i miratuar në fund të dhjetorit vetëm me votat e shumicës, është në përputhje të plotë me standartet ndërkombëtare.

Po sot në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ambasadori i OSBE-së ne Shqipëri, Robert Bosh, duke i bërë jehonë shqetësimit të Bashkimit Evropian për ligjin e dosjeve, i bëri thirrje qeverisë shqiptare të reflektojë mbi çështjet e ngritura nga Bashkimi Evropian.

"Do t'i bëja thirrje qeverisë shqiptare të reflektojë seriozisht mbi komentet e bëra në deklaratën e Bashkimit Evropian. Unë e kam thënë edhe më parë se ndonëse nuk jam kundër në parim për një ligj për pastrimin e figurave, një ligj i tillë duhet të bazozhet tek shteti ligjor, respektimi i pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe në respektim të plotë të standarteve ndërkombëtare".

Ambasadori Bosh shpreh më tej gadishmërinë e OSBE-së për të ndihmuar autoritetet shqiptare me aspektetet teknike për këtë çështje. (ze)

XS
SM
MD
LG