Lidhje

SHBA e përkushtuar për luftën kundër drogës në Amerikën Latine


Së bashku me përgjegjësitë e tjera, presidenti Barak Obama po merr nën kontroll luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës në Shtetet e Bashkuara nga Amerika Latine dhe vende të tjera. Me rritjen e dhunës që lidhet me trafikun e drogës në Meksikë, çështja po bëhet edhe më urgjente, ndërkohë që bashkëpunimi amerikan kundër drogës me disa vende të tjera latino-amerikane është vështirësuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Qentë e anti-drogës janë masa e parë mbrojtëse kundër trafikimit të kokainës në aeroportin kryesor të Kuitos. Zyrtarët thonë se trafikantët me bazë në Kolombi po kërkojnë rrugë të reja për të kontrabanduar drogën në Shtetet e Bashkuara.

Togeri i policisë Ivan Ajala thotë se qentë interceptuan më shumë se 160 kilogramë drogë vitin e kaluar në aeroport. Vetëm pak ditë më parë, një vajzë nga Estonia u kap me një valixhe me kokainë.

“Ka shumë mënyra për ta fshehur atë. Disa kontrabandues e fusin drogën në panelet e valixheve. Të tjerë nuk përpiqen ta fshehin dhe e paketojnë atë së bashku me rrobat”.

Zyrtarët thonë se kontrabanduesit kanë filluar të gjejnë mënyra të tjera gjatë viteve të fundit, me intensifikimin e operacioneve anti-drogë. Masat e rrepta në Kolumbi kanë bërë që trafikantët të dalin përtej kufirit në Ekuador dhe vende të tjera fqinje.

Si pasojë, Shtetet e Bashkuara e kanë zgjeruar mbështetjen e tyre për masat kundër drogës në Ekuador, duke përfshirë trainimin e rreth 60 ekipeve me qen të stërvitur.

Xhon Hajnes drejton seksionin kundër narkotikëve në ambasadën amerikane në Kuito.

“Pjesë tjetër e rëndësishme e programit tonë ka të bëjë me ushtrinë ekuadoriane në kufirin verior pranë Kolumbisë”.

Zyrtarët amerikanë thonë se Ekuadori është partner i vlefshëm në luftën kundër drogës. Por presidenti Rafael Korea planifikon t’i japër fund njërës prej marrëveshjeve për bashkëpunim. Ai thotë se nuk do ta ripërtërijë qeranë që përfundon në fund të këtij viti për një bazë ajrore të përdorur nga amerikanët për mbikqyrjen e trafikut të drogës.

Eduardo Gamarra nga Universiteti Ndërkombëtar i Floridës thotë se fluturimet nga kjo bazë mbulojnë rrugët kryesore të tranzitit për në Shtetet e Bashkuara.

“Mendoj se atyre u duhet të mbikqyrin të gjithë bregdetin perëndimor të Amerikës Latine. Por a janë ato efikase? Ndoshta jo, duke marrë parasysh teknologjinë”.

Ai thotë se mosmarrëveshja me Ekuadorin mund të mos përbëjë krizë për presidentin Obama. Por nuk është problemi i vetëm me të cilin përballet presidenti i ri. Udhëheqësit e majtë në Venezuelë dhe Bolivi kanë qenë kritikë të ashpër të administratës së ish presidentit Bush dhe nuk i kanë vazhduar programet e përbashkëta anti-drogë me Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të fundit.

Qeveria kolumbiane po përballet me kritika për shkeljen e të drejtave të njeriut në luftën e saj të gjatë kundër bandave të drogës dhe rebelëve të majtë të përfshirë në tregëtinë e drogës. Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar miliarda dollarë për të ndihmuar në luftën kundër trafikimit të drogës në Kolumbi, e cila është prodhuesja më e madhe e kokainës në botë.

Gjatë fushatës presidenciale, zoti Obama shprehu shqetësim për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kolumbi. Por zoti Gamarra thotë se kjo nuk ka të ngjarë të prekë partneritetin amerikan me Kolumbinë të forcuar nga ish presidenti Bush.

“Nuk mendoj se administrata e presidentit Obama do të heqë dorë nga përpjekjet kundër trafikimit të drogës, dhe ëdo gjë që ka të bëjnë me të si pjesë e përpjekjeve të zhvillimit të gjithanshëm”.

Por është dhuna e intensifikuar në Meksikë që mund të përbëjë problemin më urgjent për presidentin e ri dhe luftën e tij kundër drogës. Më shumë se pesë mijë veta u vranë vitin e kaluar nga dhuna e lidhur me tregëtinë e drogës. Dhe zyrtarët meksikanë duan që Shtetet e Bashkuara të bëjnë më shumë për të ndaluar armët që kalojnë kufirin për në Meksikë.

Në fillim të këtij muaji, presidenti i Meksikës Felipe Kalderon erdhi në Uashington për bisedime me zotin Bush dhe zotin Obama. Zoti Bush shprehu shpresën se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

“Sa më pak drogë që të përdorim, aq më pak probleme do të ketë Meksika. Ne kemi përgjegjësinë të parandalojmë armët të mos hyjnë nga Shtetet e Bashkuara në Meksikë”.

Sulmet kundër policisë meksikane kanë ngjallur frikën se forcat e sigurisë do të marrin masa agresive për t’u hakmarrë. Zoti Gamarra thotë se presidentit Obama do t’i duhet të bashkëpunojë me Meksikën për të parandaluar abuzime të tilla.

“Administrata e zotit Obama do të theksojë shqetësimin për të drejtat e njeriut, por mendoj se gjithnjë e më shumë do të shohim llojin e shtypjes që kemi parë në Kolumbi dhe Meksikë”.

Ai thotë se zoti Obama mund t’u bëjë presion dy qeverive për përmirësimin e të drejtave të njeriut. Por që administrata e re të arrijë të frenojë edhe trafikun e drogës, kjo do të jetë detyrë më e vështirë. //iç//

XS
SM
MD
LG