Lidhje

Shkarkohet Guvernatori i Illinoit  Rod Bllagojeviç


Senati i shtetit në Illinoi shkarkoi Guvernatorin Rod Bllagojeviç për abuzim pushteti, duke votuar njëzëri për ta hequr nga posti nën akuzat se po përpiqej të shiste vendin në senat që dikur mbahej nga presidenti Barak Obama.

Guvernatori i Illinoit u shpall fajtor njëzëri në procesin për shkarkimin e tij dje, duke i dhënë fund një krize gati dy-mujore që doli në skenë me arrestimin e tij nën akuzat se po përpiqej të shiste vendin e mbetur bosh në senat.

Duke folur me gazetarët para shtëpisë të tij në Çikago, Bllagojeviç tha se ishte i dëshpëruar por jo i habitur nga vendimi.

"Sigurisht jam i trishtuar dhe i zhgënjyer, por jo i habitur nga vendimi i senatit. E dija që do ta bënin këtë shumë kohë më parë duke ndjekur dinamika të ndryshme që kanë ndodhur që kur bota ndryshoi për ne më 9 dhjetor".

Ai tha se e donte popullin e Illinoit më shumë se kurrë dhe do të vazhdonte të luftonte për të pastruar emrin e tij. Blagojeviç u bë guvernatori i parë amerikan në më shumë se 20 vjet që hiqet përmes procesit të shkarkimit.

Zëvendës Guvernatoridemokrat Patrik Kuin, një nga kritikët e tij bëri menjëherë betimin si guvernatori i ri i Illinoit. Presidenti Barak Obama u zotua t’i japë zotit Kuin bashkëpunimin e tij të plotë.

Por çështja Blagojeviç është larg përfundimit, pasi prokurorët federalë pritet të ngrenë padinë për korrupsion kundër tij nga muaji prill, pas së cilës do të vendoset data e gjykimit.

Prokurorët federalë e kanë hetuar administratën e Blagojeviçit për katër vjet dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë janë paditur tashmë. Akuza më e spikatur është ajo se Blagojeviçi është regjistruar të ketë thënë se do ta shiste vednin në senat për mbështetje me fonde për fushatë ose për një post me influencë për të ose gruan e tij.

Prokurorët thonë gjithashtu se ai ka ushtruar presion të jashtëligjshëm ndaj disa individëve për kontribute për fushatën dhe se është përpjekur të pushojë nga puna redaktorë nga gazeta Chicago Tribune që shkruanin kundër tij. Me një stil shpesh teatral që kishte nervozuar kolegët e tij politikanë në vite Blagojeviç vazhdoi të refuzonte dorëheqjen.

Edhe kur ligjvënësit po vendosnin të fillonin procesin e shkarkimit, Blagojeviç i çuditi të gjithë duke emëruar ish prokurorin e përgjithshëm të Illinoit Roland Burris në vendin që ishte akuzuar se po përpiqej të shiste. Demokratë të njohur në Kongres u detyruan të tërhiqen dhe të pranonin emërimin e senatorit Burris.

Senati i shtetit Ilinoi e dënoi Guvernatorin Rod Blagojeviç për abuzim të pushtetit. Ligjvënësit votuan njëzëri për largimin e tij nga zyra, nën akuzat se u përpoq të shiste vendin bosh të zotit Obama në Senat, pasi ai fitoi zgjedhjet presidenciale. //iç//


XS
SM
MD
LG