Lidhje

Presidenti Obama nënshkruan ligjin për pagesë të barabartë


Presidenti Barak Obama nënshkroi dje ligjin e parë, i cili më në fund do të bëjë të mundur pagim më të barabartë për punëtorët, duke ua bërë atyre më të lehtë të padisin punëdhënësin për praktika të padrejta pagimi. Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, kryetarja e dhomës së përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe Zonja e Parë e Amerikës, Mishele Obama ishin të pranishme në ceremoninë e nënshkrimit të ligjit, i cili e ka burimin tek një grua 70 vjeçare nga jugu i Amerikës.

Të pranishmit në dhomë pasqyronin faktin se sa përparim kanë bërë gratë amerikane për barazi me burrat në vendet e punës. Nancy Pelosi, gruaja e parë kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve. Hillary Clinton, ish Zonja e Parë e Amerikës, që kandidoi për postin e presidentit dhe tani është Sekretare Shteti.

Por ylli i vërtetë ishte 70 vjeçarja nga shteti Alabama. Lilly Ledbetter punoi për gati 20 vjet si menaxhere në kompaninë Goodyear të gomave të makinave para se të mësonte se paguhej më pak sesa kolegu i saj mashkull.

“Gjatë gjithë karierës sime isha paguar më pak. Duhet të isha paguar më drejtë dhe më barabar për një punë të njëjtë”.

Ajo ngriti padi, por Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e hodhi poshtë padinë e saj, duke thënë se ajo kishte pritur shumë kohë para se të paraqiste ankesën.

“Gjatë karierës së saj, ajo humbi më shumë se 200 mijë dollarë rrogë, por edhe më shumë po të llogaritet pensioni dhe përfitimet nga sigurimet shoqërore. Këto janë humbje që ajo i ndjen edhe sot”.

Ligji i ri, i nënshkruar dje nga presidenti Obama, u jep punëtorëve 6 muaj kohë pas çdo pagese me praktikë diskriminuese që të ngrenë padi. Analistët thonë se ligji i ri do të bëjë që punëdhënësit të jenë më të vetëdijshëm rreth dallimeve në pagesa. Statistikat tregojnë se gratë amerikane paguhen 78 cent për çdo dollarë që paguhen burrat.

Dallimi më i madh ekziston tek punëtoret e sektorit të shërbimeve, si ato që punojnë në dyqane dhe restorante. Infermjeret, mësueset dhe punonjëset e sektorit shtetëror përjetojnë më pak dallim në këtë drejtim.

Zonja Ledbetter nuk do të përfitojë nga ligji i ri, por ajo thotë se shpërblimi më i mirë për të është drejtësia për brezat e ardhshëm.

“Vajzat dhe mbesat tuaja do të kenë një përvojë më të mirë. Kjo e bën me kaq vlerë betejën time, që duhet ta fitonim patjetër”.

Zonja Ledbetter thotë se lufta e saj nuk merr fund me ligjin e ri. Kjo grua e fortë nga jugu do të vazhdojë luftën e saj për barazi gjinore. //iç//

XS
SM
MD
LG