Lidhje

Ekspertë të ekonomisë kritikojnë bankat si shkaktare të krizës financiare


Analistët e ekonomisë thonë se bankat më të mëdha në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë në një gjendje jo të mirë, megjithë injektimin e qindra miliarda dollarëve nga paratë e taksapaguesve. Aktualisht Bankat janë bërë objekt kritikash, nën akuzat se janë shkaktaret e krizës financiare.

Presidenti Obama thotë se është e turpshme që bankat e Nju Jorkut morën për vete si shpërblim në fund të vitit bonuse në miliarda dollarë, në një kohë që ata po merrnin ndihmë nga qeveria. Bonuset që ju dhanë firmave të Wall Street-it kishin vlerën e 18 miliardë dollarëve.

Disa ekspertë të krizës tashmë 17 muajshe të sistemit të kredive, thanë javën e kaluar se problemi ende nuk është zgjidhur. Bankat, thanë ata, nuk kanë rifilluar dhënin e kredive në kushte normale dhe ka ende të ashtuquajtura kredi të këqija për të cilat ato mbajnë përgjegjësi.

Joshua Rosner, është ekspert për bankat dhe financimin e shtëpive. Ai thotë se problemi që fillloi në vitin 2007 me kreditë e këqia për shtëpitë po përhapet tani edhe në instrumente të tjera kreditimi.

"E shohim tani këtë problem në kartat e kreditit, në huatë për bizneset, ato për synime komerciale, në kreditë për blerjen e makinave....," - thotë eksperti.

Ndërsa analisti nga Nju Jorku Barry Riholtz, i cili ashtu sikurse Rosner, mori pjesë në Forumin e Insitutit amerikan Entreprise ditët e fundit në Washington, tha se do të ishte një gabim nga ana e qeverisë t’i japë fonde të tjera bankave më të mëdha.

"Në se u japim sasi të tjera parash bankave të mëdha, duket sikur po shpërblejmë drejtuesit jo kompetentë, të cilët kanë treguar paaftësi në trajtimin e rreziqeve të pritshme, apo në gjithshka që ata duhej të kishin bërë. Dhe të gjithë thonë se këto banka nuk mund të falimentojnë, sepse janë tepër të mëdha. Por unë them se Banka si "Bank of Amerika", apo "Citibank", do të jetë e vështirë të dalin me sukses nga kjo gjendje, sepse ato janë tepër të mëdha. Asnjë zyrtar i këtyre bankave nuk u tregua i aftë për parashikimin dhe mënyrën e trajtimit të krizës. Ato janë të përhapura në shumë sektorë. Unë mendoj se këto banka është më mirë që në këto kushte të nacionalizohen",- thotë analisti.

Në përpjekje për riorganizimin e bankave dhe shpëtimin e tyre nga situata e huave të këqia, qeveria i ka dhënë bankave që nga shtatori, 100 miliardë dollarë. Kjo përfshin mbi 65 miliardë dollarë për "Bank of Amerika" dhe Citibankun.

Zoti Rosner thotë se megjithë pagesat që ju dhanë bankave, tregjet financiare nuk po funksionojnë ende siç duhet.

Një tjetër specialist, Kristofer Uaaken, në institutin "Institutional Risk Analytics", thotë se në se bankat nuk do të jenë të afta për rifillimin e operacioneve normale dhe për realizimin e fitimeve, ato duhen lejuar të dështojnë.

"Sa më tepër që të përpiqemi t’i ndihmojmë me fonde bankat e mëdha, aq më pak rritje ekonomike do të kemi. Bankat duhen lënë të falimentojnë... Ato duhen nxjerrë në shitje. Do të ketë gjithmonë një grup njerëzish që do të jenë në gjendje t’i blejnë ato."

Administrata e zotit Obama po përgatit disa propozime të reja për mënyrën e trajtimit të huave të këqija të bankave amerikane. Një sugjerim është krijimi i një njësie speciale qeveritare që do t’i blente të gjitha huatë e këqija. Sipas disa vlerësimeve, ky veprim mund t’u kushtojë takspapaguesve dy trilionë dollarë.//lk


XS
SM
MD
LG