Lidhje

Henderson dhe lufta kundër sëmundjeve infektive


Në vitet 1960-të dhe 70-të, mjeku dhe epidemiologu, D.A. Henderson kryesoi një fushatë globale për zhdukjen e lisë. Dhe siç vihet në dukje në materialin në vazhdim, strategjia që ai ndoqi ndryshoi mënyrën se si zyrtarët e shëndetsisë ndërmorën luftën kundër sëmundjeve ngjitëse dhe kërcënimeve biologjike.

Në vitin 2001 kërcënimet nga antraksi në Shtetet e Bashkuara shkaktuan frikë dhe kaos në gjithë vendin. Letra me antrakst u postuan në zyra të Kongresit amerikan dhe në zyra të mediave, duke shkaktuar vdekjen e 5 personave dhe infektimin e më shumë se 10 të tjerëve. Disa godina të kongresit dhe zyra postare u mbyllën për të parandaluar përhapjen e infektimit.

Pas këtyre incidenteve, D.A. Henderson u thirr në Uashington për t’u vënë në krye të një zyre, e ngarkuar me detyrën për të bërë përgatitje në rast të një sulmi bio-terrorist.

“Biosigurimi nuk është thjeshtë një rast në të cilin një person i papërgjegjshëm synon të përdorë antraks apo ndonjë sëmundje ngjitëse. Në të njëjtën kohë, ne duhet të jemi gati të përballojmë agjentë që mund të zhvillohen vetëvetiu, duke krijuar një problem të madh”.

Në librin e tij me titull: “Lija: Vdekja e një Sëmundjeje”, ai flet për karierën e tij 50 vjeçare në shëndetin publik. Punën e tij, që e quan “një sëmundje dedektive”, zoti Henderson e filloi në Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve me seli në Atlanta. Më 1967, ai kryesoi fushatën e Organizatës Botërore të Shëndetsisë kundër lisë ...

"Ky ishte një problem i madh. Ne na duhej të punonim në rreth 50 vende dhe kishim një fond prej gati 2,5 milion dollarësh”. - kujton ai

Megjithëse lija shkaktonte vdekjen e rreth 30 për qind të të infektuarve, zoti Henderson ishte optimist. Ai kishte një vaksinë të efektshme, me kosto të ulët duke përdorur shiringa, që mund të shpërndaheshin me shpejtësi. Në vend që të vaksinohej çdo person në çdo vend të botës, zoti Henderson e bazoi strategjinë e tij në studimin e përpiktë të rasteve të sëmundjes dhe parandalimin e saj. Kjo strategji është përdorur që prej atëhere për të luftuar sëmundje të tjera infektive.

“Ne shkonim në zona të infektuara dhe vaksinonim njerëzit e prekur, duke krijuar rreth tyre si të thuash një mur parandalues. Lija nuk përhapet tek kafshët, por vetëm tek njerëzit dhe nëse bllokohet përhapja e kësaj sëmundjeje, lija nuk ekziston më”.

Zoti Henderson u mbështet tek njerëzit në teren për të bërë këtë punë parandaluese, e cila shpesh vështirësohej nga terreni i ashpër dhe nga shvendosja e njerzve si pasojë e përmbytjeve dhe konflikteve të armatosur. Kthesa u arrit në Indi në vitin 1977. Zoti Henderson mobilizoi një mision survejimi e parandalues mes popullsisë së atij vendi prej 700 milion vetash.

“Ky mision mori një formë më të organizuar pasi kontrolli u shtri në rreth një të tretën e vendit. Së shpejti arritëm në përfundimin se brënda 10 ditësh ne mund të shkonim në 90 për qind të shtëpive në India”.

Në vitin 1980, Organizata Botërore e Shëndetsisë deklaroi se lija ishte zhdukur në gjithë botën. Pas gati 20 vjetësh, kërcënimi i rishfaqjes së lisë si armë biologjike bëri që zoti Henderson të hapte Qendrën për Biosigurinë në Baltimor të shtetit Maryland.

“Ideja ishte që një komunitet të përgatitej për të bërë hetime me shpejtësi, për të bërë studime laboratorike rreth një agjenti të ri për të zhvilluar një vaksinë ose një ilaç antiviral. Kjo është diçka shumë e rëndësishme”.

Në vitin 2002, zotit Henderson iu kërkua të ndërmerte një përgjigje ndaj një epidemie të mundshme lije. Gati 75 për qind e popullatës së Shteteve të Bashkuara do të ishte në rrezik sepse vaksinat përfunduan në vitin 1972.

“Ne vendosëm se na duheshin shumë vaksina dhe na duheshin shumë shpejt. Të gjithë na thanë se do të duheshin 5 vjet për të siguruar 200 milion doza vaksine, por në fakt ne i siguruam ato brënda 18 muajsh”.

Tani disa vjet më vonë, zoti Henderson thotë se fakti që motivoi atë dhe ekipin e tij në punën e tyre në qendër është se ata e dinë fare mirë se shpëtojnë jetë njerëzish. //mm//

XS
SM
MD
LG