Lidhje

Vdes ish-Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Lublin Dilja


Dje pasdite vdiq në një spital të Nju Jorkut, ish Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Lublin Dilja, pas një sëmundjeje të rëndë.

Zoti Dilja lindi në Elbasan në 10 tetor të vitit 1957, ku kaloi edhe vitet e fëmijërisë. Shkollën e lartë ai e kreu në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Dega Anglisht. Pasi përfundoi shkollën, në vitin 1980, ai punoi fillimisht si mësues i gjuhës angleze. Më pas kreu disa kualifikime pasuniversitare për psikologji-pedagogji, si dhe kurse për diplomacinë në Shtetet e Bashkuara, në Britani e Itali.

Zoti Dilja ka patur një karrierë të spikatur si profesor në Universitetin e Tiranës dhe atë të Elbasanit dhe si punonjës shkencor në Institutin e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë. Ai kishte titullin “Doktor i Shkencave”.

Nga viti 1993 deri më 1997, Lublin Dilja ishte Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.

Në shtator të vitit 2001 ai u zgjodh Deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga viti 2002 e deri në fund të jetës, ai ishte Ministër Fuqiplotë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së dhe njëkohësisht zëvendëspërfaqësues i këtij misioni.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes së diplomatit Lublin Dilja.

“Me shumë hidhërim mësova lajmin e largimit të parakohshëm nga jeta të Lublinit. Lublini mbetet në kujtimet tona si model i qetësisë, pjekurisë, tolerancës dhe kulturës", shkruhet në mesazh.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ambasadori i Shqipërisë në OKB Adrian Neritani, e vlerësoi kolegun e tij Lublin Dilja në planin personal dhe atë profesional:

“Ai ishte një individ me cilësi të larta dhe të dukshme profesionale... Ai e kombinonte profesionin si diplomat me përgatitjen e tij si pedagog dhe shkencëtar. Duhet theksuar se Lublin Dilja ka qenë Ambasador i Shqipërisë në SHBA në një periudhë shumë të rëndësishme për vendin".Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi i ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi familjes së diplomatit Lublin Dilja.

Ambasadori Neritani tha se cilësitë e veçanta njerëzore dhe profesionale të zotit Dilja u shprehën edhe në detyrën e tij në OKB:

“Ambasadori Dilja ka qenë një figurë publike, jo thjesht zyrtare, një figurë e respektuar nga komuniteti shqiptar i Amerikës dhe nga kolegët e tij diplomatë brenda dhe jashtë misionit të OKB-së”.

Zoti Neritani, e kujton ish-kolegun e tij si një njeri kurajoz deri në minutat e fundit të jetës:

“Ai shfaqi kurajo dhe një ndjenjë të lartë përgjegjësie, duke luftuar deri në fund sëmundjen e rëndë”.

Zoti Dilja le pas gruan dhe dy djem.//lk




XS
SM
MD
LG