Lidhje

Politikat tregtare, një nga sfidat e administratës Obama

  • Majkëll Bauman

Presidenti Obama po ballafaqohet së shpejti me një vendim për politikat e tregëtisë, me të cilin ai mundet t’i zemërojë anëtarët kryesorë nga partia e tij demokratike, ose mund të nxisë tensione tregtare me disa nga aleatët më të afërt të Shteteve të Bashkuara. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, njofton nga Shtëpia e Bardhë, se zoti Obama do të shkojë pas pak javësh në Kanada, ku zyrtarët po paralajmërojnë për pasoja katastrofike, në se Amerika fillon të zbatojë politika proteksioniste:


[
Javën e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi një plan për përmirësimin e ekonomisë, i cili mund të sinjalizojë se në çfarë drejtimi do të ecin politikat amerikane të tregëtisë, ndërsa administrata e zotit Obama po punon së bashku me Kongresin nën kontrollin e demokratëve.

Të dy variantet e ligjit nga Senati dhe Dhoma e Kongresit amerikan përcaktojnë që çeliku i prodhuar në Amerikë dhe prodhimet e tjera të përdoren në projektet publike, të cilat hyjnë në planin për stimulimin e ekonomisë.

Lidhur me këtë nismë, Kanadaja dhe partnerët e tjerë të Shteteve të Bashkuara janë shqetësuar tej mase.

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, nuk është shprehur me vendosmëri rreth klauzolës së ashtuquajtur “Të blesh vetëm nga Amerika”.

“Administrata do të shqyrtojë këtë masë të veçantë dhe më pas do të vendosë pro ose kundër saj”, - tha zëdhënësi.

Përdorimi i prodhimeve të vendit ka qenë pjesë e kërkesës së sindikatave amerikane të punëtorëve, të cilat e mbështetën fuqishëm zotin Obama në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Por disa zyrtarë të huaj po këshillojnë se kjo masë mund të nxisë ankesa kundër Shteteve të Bashkuara në Organizatën Botërore të Tregëtisë, dhe shpagim ndaj eksporteve amerikane. Sekretari kanadez i Parlamentit për Tregëtinë Ndërkombëtare, Gerald Keddy, thotë se ky veprim do të shkelte marrëveshjën për Tregëtinë e Lirë në Amerikën Veriore mes Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, dhe Meksikës.

“Ne presim që amerikanët të zbatojnë detyrimet e tyre të tregëtisë ndërkombëtare”, - tha zoti Kedi.

Kryeministri i shtetit të Ontarios, ku gjendet shumica e industrisë së Kanadasë, Dalton McGuinty, thotë se askush nuk do të përfitonte nga një luftë tregëtare dhe se mënyra më e mirë për të përballuar recesionin global është që vendet të përkrahin njëri tjetrin.

Organizata amerikane të biznesit pajtohen me këtë pohim. Ndërsa disa sindikata të punëtorëve e kanë quajtur kundërshtimin ndaj masës “të blesh vetëm nga Amerika” , një “tradhëti ekonomike,” Dhoma amerikane e Tregëtisë thotë se ruajtja e tregëtisë së lirë është “patriotizëm ekonomik”. Dhoma madje, paralajmëron për atë që e sheh si ndjenjë në rritje e protekstionizmit në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, duke theksuar se pengesat ndaj tregëtisë së lirë ndihmuan Depresionin e Madh të viteve të 1930.

Presidenti Obama ende nuk ka folur në detaje rreth çështjeve të tregëtisë që nga ardhja e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Kur ishte kandidat, ai u kritikua se po dërgonte mesazhe të përziera. Gjatë fushatës paraprake, që u karakterizuan me debate të ashpëra, zoti Obama u zotua se do të rinegocionte marrëveshjën e Tregëtisë e Lirë në Amerikën Veriore, të njohur si NAFTA, dhe ai shpesh përdori tema populiste gjatë fushatës zgjedhore, ashtu sikurse veproi edhe vitin e kaluar në shtetin Uiskonsin.

“ Unë nuk fillova të kritikoj marrëveshjen jo të drejtë si ajo e Tregëtisë së Lirë në Amerikën Veriore, vetëm sepse vendosa të hyj në garën për president. Unë fillova të jem kritik, pasi e shoh se çfarë ndodh me njerëzit kur mbyllen fabrikat dhe vendet e punës eksportohen në vendet e huaj,”- tha ai.

Por, pasi zoti Obama siguroi emërimin e Partisë Demokrate për president, ai duket se filloi ta zbusë qendrimin e tij.

“Unë besoj tek tregëtia. Unë mendoj se tregëtia mund ta rrisë ekonominë tonë dhe ajo e përmirëson jetën e njerëzve të thjeshtë.”

Që nga koha kur ai u bë president, zoti Obama nuk është shprehur rreth rinegocimit të marrëveshjes për Tregëtinë e Lirë në Amerikën Veriore, dhe zyrtarët e administratës nuk tregojnë prirje për të filluar një luftë tregëtare me Kanadanë, që është partnerja më e madhe tregëtare e Shteteve të Bashkuara, apo edhe me ndonje vend tjetër. Në të kundërtën, Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, thotë se bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë së bashku për të përmirësuar ekonominë globale.

Por kundërshtarët e ligjvënësve demokratë në Kongres, që e mbështesin politikën “të blesh vetëm nga Amerika” nuk po tërhiqen, duke shkaktuar ato që mund të jenë bisedime delikate mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit, ndërsa plani për stimulimin e ekonomisë do të votohet së shpejti në Senat.

Zyrtarë kanadezë thonë se shpresojnë se do të mund të sigurojnë përjashtimin e prodhimeve të Kandasë nga kjo masë, në se ajo shndërrohet në ligj. Presidenti Obama do të shkojë në Ottawa me 19 shkurt.//lk


XS
SM
MD
LG