Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Iran në 30 vjetët e fundit


Revolucioni islamik i vitit 1979 në Iran shkaktoi ndërprerjen e marëdhënieve amerikano-iraniane gjë që vazhdon edhe sot.

Megjithatë, presidenti Barak Obama i ka dërguar sinjale Teheranit sipas të cilave mes dy vendeve mund të ketë dialog, ndërsa Irani ka bërë të njëjtën gjë.

Më 1 shkurt 1979, udhëheqësi shpirtëror i Iranit, Ajatollah Ruhollah Khomeini u kthye nga mërgimi në Francë. Revolucioni islamik kishte nisur atëherë në Iran, por kthimi i tij në vend e bëri atë edhe më të fortë.

Disa muaj më vonë, më 4 nëntor 1976, forca radikale kapërcyen muret e ambasadës amerikane në Tehran dhe morën peng 53 vetë, mes të cilëve kishte diplomatë, staf ambasade dhe roje. Kështu nisën 30 vjet zemërimi dhe përplasjesh mes dy vendeve që arritën kulmin në vitin 2002, kur presidenti Xhorxh Bush e quajti Iranin pjesë të së ashtuquajturit “Bosht i së Keqes”.

"Irani po kërkon me forcë armë bërthamore dhe vazhdon të eksportojë terror, ndërsa udhëheqësit e pazgjedhur po shtypin një popull liridashës”.

Por me ndryshimin e administratës, presidenti Obama po dërgon një tjetër mesazh. Mesazhin më të fundit ai e përçoi në një intervistë me televizionin al-Arabiya.

"Nëse vende si Irani kanë vullnetin ta lirojnë grushtin e tyre, ne do t’i japim dorën atyre."

Por zemërimi iranian ndaj Shteteve të Bashkuara buron kryesisht nga mbështetja e Uashingtonit për Shahun e Iranit, Mohamed Reza Pahlavi. Ai mori kontrollin e vendit në vitin 1953, pas një grushti shteti kundër qeverisë iraniane të mbështetur nga CIA. Për shumë iranianë Shahu ishte një dikaktor i egër që fuqizoi islamikët në Iran.

"Ish diplomatja iraniane Shirin Tahmaseb Hanter thotë se Shahu nuk lejoi një atmosferë politike ku kishte liri fetare apo politike. Siç thotë ai gjithçka iu la në dorë grupeve fetare, të cilët përdorën xhamitë dhe organizata të tjera fetare për të transmetuar mesazhin e tyre".

Kur Shtetet e Bashkuara lejuan hyrjen në Amerikë të Shahut të sëmurë më 22 tetor 1979, zëmërimi iranian arriti kulmin. Dhe më 4 nëntor, radikalët morën kontrollin e ambasadës amerikane në Tehran.

Ish diplomati amerikan Brus Laingen dhe pengje të tjerë u mbajtën peng për 444 ditë deri kur ata u liruan më 20 janar 1981.

“Pengmarrja mendohej se do të ishte simbolike, por shpejt e kuptuam se do të ishte më shumë se kaq. Fakti që studentët kapërcyen murin e ambasadës, nxiti një zemërim të madh mes iranianëve".

Por ngjarjet e mëpasme do t’i keqësonin marëdhëniet mes dy vendeve.

Kur diktaktori irakian, Sadam Husein nisi luftën tetëvjeçare kundër Iranit, Shtetet e Bashkuara e mbështetën atë. Por, pasi trupat amerikane larguan nga pushteti Sadam Huseinin në vitin 2003, Irani pa një dritare mundësie për të pasur ndikim në Irak përmes disa klerikëve dhe partive politike.

Ambiciet iraniane për armë bërthamore janë pika kryesore e problemeve mes Uashingtonit dhe Tehrani. Irani thotë se programi bërthamor i vendit ka vetëm qëllime paqësore, por Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera besojnë se Irani po ndërton armë bërthamore për të fituar pushtet në rajon. Por analisti i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, Antoni Kordsmen nuk beson shumë tek ambiciet e Iranit.

"Irani është një hegjemon i cili ka ndikim të kufizuar në Irak, ka probleme të mëdha me Afganistanin, nuk mund të dominojë Gjirin Persik apo të ekzekutojë operacione ushtarake në shkallë të gjerë në Gji pa provokuar kundërpërgjigjen amerikane të cilën Irani nuk e përballon dot. Po kështu Irani nuk ka ndikim në Azinë Qendrore, nuk ka fuqi të ushtrojë trysni ndaj Turqisë dhe ka një marëdhënie bazuar në interesin e përbashkët me Sirinë”.

Revolucioni iranian po mbush 30 vjeç. Presidenti iranian Mahmud Ahmedinezhad vazhdon të kërkojë një sërë gjërash nga Shtetet e Bashkuara si kusht që Tehrani të pranojë rihapjen e marëdhënieve me Uashingtonin. Por analistët thonë se ndryshimet e fundit në udhëheqjen amerikane mund të ofrojnë një mundësi për shkrirjen e akullit dhe një fillim të ri mes dy vendeve.//rd//

XS
SM
MD
LG