Lidhje

Presidenti Obama dhe perspektiva e konflktit izraelito-palestinez


Pak pasi në Gaza hyri në fuqi një armëpushim mes Izraelit dhe grupit Islamik Hamas, Presidenti Barak Obama i kërkoi të dërguarit të tij për Lindjen e Mesme që të shkonte në rajon për të filluar një proces për t'i dhënë fund konfliktit prej disa dekadash midis Izraelit dhe palestinezëve. Përpjekjet do të përqëndrohen në të ashtuquajturën zgjidhja me dy shtete, në bazë të së cilës do të krijohej një shtet palestinez, që do të ekzistonte në paqe krah për krah shtetit hebre. Ekspertët dhe politikanët kanë pikpamje të ndryshme mbi planin për t'i dhënë fund këtij konflikti.


Një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit sapo kishte hyrë në fuqi kur Presidenti Obama njoftoi angazhimin e tij për paqen në Lindjen e Mesme, duke përfshirë edhe një shtet palestinez në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës.

"Paqja e qëndrueshme kërkon më shumë se sa një armëpushim afat gjatë dhe kjo është arsyeja që do të jem aktivisht i angazhuar për krijimin e dy shteteve, që të jetojnë krah për krah njeri tjetrit në paqe dhe siguri".- tha ai

I dërguari i posaçëm i zotit Obama, ish Senatori George Mitchell, shkoi në rajon për bisedime me udhëheqësit arabë dhe izraelitë. Në Jeruzalem, zoti Mitchell tha se arritja e një marrëveshje paqeje do të jetë e vështirë.

"Dhuna tragjike në Gaza dhe në Izraelin jugor na bën të mos harrojmë sfidat shumë serioze e të vështira dhe fatkeqësisht zbrapsjet që na presin në të ardhmen".- tha ai

Kolonitë hebraike në Bregun e pushtuar Perëndimor përbëjnë një prej problemeve më të vëshira për arritjen e paqes.

Rreth 200 mijë kolonë hebrej jetojnë atje dhe, në bazë të zgjidhjes me dy shtete, shumica e tyre do të shpërngulen në territorin izraelit.

Por përpjekjet izraelite për të evakuar disa koloni të vogla kanë nxitur dhunën midis trupave izraelite dhe kolonëve, që refuzojnë të largohen.

Kryeministri Ehud Olmert ka thënë se Izraeli është gati të shpërngulë 60 mijë kolonë të Bregut Perëndimor në interes të paqes, megjithëse ky është një fraksion i vogël.

Zgjedhjet izraelite të këtij muaji mund të bëjnë që Benjamin Netanyahu, udhëheqës i partisë Likud të jetë kryeministri i ardhshëm. Ai ka thënë se nuk do t'i kërkojë asnjë koloni që të largohet nga Bregu perëndimor, madje nëntorin e kaluar, ai la të kuptohet se nuk e mbështet zgjidhjen me dy shtete.

"Në vend që të arrijmë paqen në mënyrë ekskluzive me anë të marrëveshjeve politike, ne duhet t'i shtojmë procesit politik përpjekjet për të përmirësuar jetën e fqinjëve tanë palestinezë në mënyrë që ata të jenë të interesuar për arritjen e paqes".- tha zoti Netanyahu

James Zogby, President i Institutit Arabo-Amerikan këtu në Uashington, thotë se presidenti Obama duhet të jetë i ashpër me Izraelin lidhur me çështjen e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe pushtimin e vazhdueshëm, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje.

"Me siguri që izraelitët nuk do të largohen në qoftë se nuk detyrohen ta bëjnë një gjë të tillë. Ata nuk do të largohen deri sa presidenti amerikan të thotë se kjo gjendje duhet të marrë fund".

Edhe në palën palestineze ekzistojnë probleme. Palestinezët janë të ndarë mes Fatahut, fraksioni i moderuar që administron Bregun Perëndimor, dhe grupit ekstremist Hamas, që sundon në Gaza dhe nuk pranon të dënojë dhunën. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë të negociojnë me Hamasin.

Shumë izraelitë dhe palestinezë po vënë tani në pikpyetje nëse zgjidhja me dy shtete është ende e mundshme.

Ali Abu Minnah, autor palestinez, që jeton në Çikago, mbron idenë e krijimit të një shteti, por një shteti dy kombësish.

"Zgjidhja me dy shtete nuk është as e disponueshme, as e qëndrueshme e as e drejtë. Kjo është arsyeja që ne kemi hapur këtë diskutim".

Zgjidhja me një shtet kundërshtohet nga Izraeli sepse hebrenjtë do të bëheshin pakicë.

William Quandt punoi për administratën Karter në vitet 70-të dhe ishte i angazhuar në negociatat që çuan në traktatin izraelito-egjiptian të vitit 1979. Ai thotë se zgjidhja me dy shtete është e vetmja shpresë.

"Zgjidhja me dy shtete kthehet në qendër të vemendjes sepse nuk ka një alternativë më të mirë nëpërmjet një zgjidhje të negociuar".

James Zogby thotë se shtetet arabe duhet të ndihmojnë në rindërtimin e Rripit të Gazës dhe në ndërtimin e shtetit palestinez, madje ai i ofron edhe Izraelit nisma për arritjen e paqes.

Siç u shpreh qartë edhe i dërguari amerikan në Lindjen e Mesme, Xhorxh Mitchell, ky objektiv nuk do të jetë i lehtë dhe as përparimi nuk do të arrihet menjëherë.

Por administrata e re amerikane duket se po angazhohet aty ku administrata e mëparshme nuk ishte e angazhuar. //mm

XS
SM
MD
LG