Lidhje

Rezolutë e Parlamentit Evropian për Kosovën dhe EULEX-in


Parlameti evropian paraqiti sot një rezolutë lidhur me Kosovën dhe rolin e Bashkimit Evropian në atë vend. Rezoluta përshëndet dislokimin e suksesshëm të EULEX-it në gjithë Kosovën, përfshirë edhe pjesën në veri të lumit Ibër. Rezoluta i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbështesë plotësisht vetë EULEX-in dhe kalimin tek ky i fundit i të gjitha kompetencave nga UMNIK-u. Rezoluta mirëpret gjithashtu marrëveshjen e qeverisë serbe për dislokimin e EULEX-it dhe gadishmërinë për të bashkëpunuar me të.

Parlamenti Evropian i bën thirrje Serbisë që të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv, i cili është në përputhje me aspiratat e atij vendi për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Këtë shpresë shfaqi edhe anëtari i grupit Aleanca e Lirë Evropiane, Joost Jagendijk, i cili tha se mendon që në fundit të fundit Serbia do të pranojë realitetin në teren dhe do të shikojë nga e ardhmja dhe jo e kaluara.

“Ka shenja inkurajuese se qeveria serbe, shumica e serbëve, e pranojnë se e ardhmja e vendit të tyre është në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi në BE më në fund do të jetë më e rëndësishme për serbët se sa përpjekjet për të luftuar gjithnjë me të kaluarën. Mendoj se më në fund Serbia, ndoshta nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, por do të pranojë realitetin në Kosovë dhe që nuk mund ta ndryshojë atë dhe në mënyrë që të bëhet pjesë e Evropës duhe ta zgjidhë këtë çështje. Ata nuk mund të luftojnë pavarësinë e Kosovës dhe misionin e BE-së. Perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Serbinë është më e rëndësishme dhe shumica e serbëve e pranojnë një gjë të tillë”, tha zoti Jagendijk.

Në rezolutën e tij, Parlamenti Evropian përshëndet përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe i bën thirrje qeverisë së Prishtinës që të vazhdojë t’i përmbahet angazhimit të saj për nxitjen e frymës së paqes, tolerancës si dhe dialogut ndërkulturor e ndërfetar mes të gjitha komuniteteve të Kosovës. Në rezolutë i kërkohet si Kosovës edhe Serbisë që të angazhohen në dialog konstruktiv mbi çështje me interes të përbashkët dhe të kontribuojnë për bashkëpunimin rajonal.

Parlamenti Evropian voton për rezolutën të enjten. (ze)

XS
SM
MD
LG