Lidhje

Kirgistan: Shtyhet votimi për mbylljen e një baze amerikane


Parlamenti i Kirgistanit shtyu për javën tjetër votimin për mbylljen e një baze ajrore amerikane që furnizon trupat në Afganistan.

Qeveria i paraqiti parlamentit dje një projekt-ligj për të mbyllur bazën, me mundësinë e votimit të premten. Por zyrtarët thanë sot se votimi do të mbahet javën e ardhshme.

Një zëdhënës i Pentagonit tha sot se bisedimet midis zyrtarëve amerikanë dhe kirgistanas po vazhdojnë. Por ai nuk pranoi të jepte hollësi për planet e mundshme në se baza mbyllet.

Presidenti i Kirgistanit, Kurmanbek Bakijev, njoftoi planet për mbylljen e bazës të martën gjatë një vizite në Moskë, pak pasi vendi i tij siguroi nga Rusia borxhe dhe ndihma prej 2 miliardë dollarësh.

Deri dje, departamenti amerikan i shtetit nuk kishte marrë ndonjë njoftim zyrtar nga Kirgistani rreth vendimit për mbylljen e bazës. Departamenti amerikan i Mbrojtjes po minimizon mundësinë e ndikimit të humbjes së bazës, e vetmja në Azinë Qëndrore.

Kryeministri kirgistanas tha se vendimi për mbylljen e bazës amerikane nuk ka lidhje me huatë ruse.

Sipas marrëveshjes, Kirgistani duhet t’i njoftojë Shteteve të Bashkuara 180 ditë para mbylljes së bazës. //mm//

XS
SM
MD
LG