Lidhje

Raport shqetësues i Departamentit të Punës mbi ritmet e papunësisë


Përqindja e papunësisë u rrit ndjeshëm në janar dhe ekonomia humbi numrin më të madhe të vendeve të punës që nga viti 1974. Raporti i sotëm i Departamentit të Punës thotë se ekonomia më e madhe e botës pati një humbje prej 598 mijë vendesh pune ndërsa recesioni goditi sektorët e prodhimit dhe ndërtimit. Ritmet e papunësisë arritën në shtatë për qind, niveli më i lartë që nga viti 1992.

Numri i vendeve të punës që u mbyllën në dhjetor ishte më i madh nga ç’ishte parashikuar. Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama foli për këto shifra.

“Është numri më i madh i vendeve të punës të humbura në një muaj që prej 35 vjetësh. Departamenti i Punës ndryshoi parashikimin për humbjen e vendeve të punës që nga viti 2008 e më tej dhe tani njofton se kemi humbur 3.6 milionë vende pune që kur filloi recesioni”.

Zoti Obama tha se thellimi i recesionit e bën të domosdoshme që Kongresi të veprojë me shpejtësi për të stimuluar ekonominë në rënie. Tregjet financiare reaguan ndaj raportit. Robert Reich, një profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë që ishte sekretar pune në administratën e Presidentit Klinton tha se arsyeja është fakti që tregjet parashikojnë se plani prej afro një trilion dollarësh do të miratohet së shpejti.

“Mendoj se ajo që po ndodh është që investitorët janë shumë optimistë që paketa e stimujve do të miratohet. Pasi këto shifra janë kaq negative saqë do ta detyrojnë Senatin të marrë masa sot dhe paketa ndoshta do të nënshkruhet, duke u kthyer në ligj brenda 10 ditësh”.

Në mesditë indeksi i Dow Jones-it u rrit në 160 pikë, ose rreth 2 për qind. Rënia ekonomike në Shtetet e Bashkuara filloi në dhjetor të vitit 2007, pesë muaj pas krizës së kreditit në tregun e shitblerjes së shtëpive. //ad//

XS
SM
MD
LG