Lidhje

SHBA: Politika e administratës së re për luftën kundër terrorit


Presidenti Barak Obama e filloi detyrën vetëm rreth dy javë më parë, por ekspertët thonë se administrata e tij po mban një qëndrim të ri në luftën kundër terroristëve. Zoti Obama thotë se e shmang termin “lufta kundër terrorizmit” me qëllimin që të tërheqë elementët e moderuar të botës myslimane.

Vetëm pak ditë pasi presidenti i ri filloi nga detyra, zyrtarët pakistanezë thanë se aeroplanë të dyshuar si amerikanë sulmuan dy herë. Kjo është videoja e asaj që zyrtarët amerikanë thanë se ishte një përgjigje e hershme për të hapur zjarr nga toka.

Administrata e re amerikane ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndjekin terroristët e al-Kaidës kudo që të jenë.

Presidenti Barak Obama e bëri këtë të qartë në fjalimin e përurimit.

“Për ata që përpiqen të avancojnë synimet e tyre, duke nxitur terror dhe duke viktimizuar të pafajshmit, ne themi se tani që shpirti ynë është më i fortë dhe nuk mund të mposhtet, ju nuk do të keni jetë më gjatë se sa ne, dhe ne do t’ju mposhtim”.

Gjatë intervistave që u dha të martën rrjeteve kryesore televizive, presidenti shpjegoi se nuk e ka përdorur termin “lufta kundër terrorit” sepse shpreson të fitojë “zemrat dhe mëndjet” e myslimanëve të moderuar.

Shumë njerëz e interpretojnë fjalën “luftë” vetëm për përdorimin e forcës ushtarake.

Mathju Levit është analist në Institutin për politikën e Lindjes së Afërme këtu në Uashington.

“Për të luftuar këtë lloj kërcënimi ndaj sigurimit kombëtar nevojiten të gjitha format e fuqisë kombëtare”.

Ekspertët thonë se ekziston një armik, që po përhap terrorin në vendet kryesore të Evropës, Azisë dhe Afrikës. Dhe ata thonë se grupet e shumta militante nuk duhen lejuar të bashkohen. Ja si shprehet Brajën Xhenkins i Korporatës RAND.

“Mendoj se do të jetë një prirje e dobishme që të distancohemi nga perceptimi i një armiku terrorist monolit, ose terroristët, dhe ta shikojmë atë në kushte lokale pa dallime”.

Pak pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, numri dy i al-Kaidës, Ajman al-Zavahiri, përdori një gjuhë përbuzëze në adresë të zotit Obama dhe, ndërsa tregohej kjo fotografi e tij, rregjistrimi e akuzonte presidentin Obama se mban qëndrim armiqsor ndaj myslimanëve.

Një artikull i ri i publikuar të martën e kaluar më 3 shkurt i referohej ofensivës izraelite kundër Hamasit në Rripin e Gazës dhe vinte në lojë zotin Obama që ai ka shprehur shqetësim për të vrarët.

Disa ekspertë thonë se një president afrikano-amerikan i quajtur Barak Hussein Obama po e detyron al-Kaidën që të ripërcaktojë mesazhin e saj. David Hejman është ekspert i çështjeve të sigurisë kombëtare.

“Ata po përpiqen ta portretizojnë zotin Obama si armik sepse ata janë të shqetësuar se ai mund të flasë me komunitetin mysliman, se politikat e tij do të tërheqin ata njerëz që ka më shumë të ngjarë të rekrutohen nga al-Kaida”.

Zoti Jenkins thotë se al-Qaida po përpiqet ta tërheqë presidentin Obama në një luftë fjalësh, por presidenti po e shmang këtë.

Ekspertët thonë se Presidenti Obama e kupton që lufta kundër terrorit nuk ka një fillim të caktuar e as një fund shpejtë, por është një luftë e gjatë që kërkon një strategji të menduar mirë. (ze)

XS
SM
MD
LG