Lidhje

Bajden sinjalizon ndryshime në politikën e jashtme amerikane

  • Xhef Seldin

Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, paraqiti përparësitë e politikës së jashtëme të administratës së re amerikane gjatë një fjalimi të hollësishëm që mbajti dje në konferencën e 45 vjetore të sigurimit në Mynih.

Nënpresidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatëshme të bisedojnë me Iranin për programin e tij bërthamor, por theksoi se Teherani përballet me izolim dhe presion, nëse vazhdon rrugën e tanishme.

Nënpresidenti amerikan Xho Bajden i tha pa humbur kohë udhëheqësve botërorë, se ai përfaqëson një administratë të re në Washington, dhe fillimin e një politike të re diplomatike, duke thënë se SHBA do të jetë të gatshme të bisedojnë me Iranin.

"Administrata jonë po e rishikon politikën e saj me Iranin dhe është tashmë e qartë, se ne jemi të gatshëm për bisedime,"- tha ai.

Por Nënpresidenti amerikan tha se edhe Irani duhet të tregojë vullnetin për të ndryshuar politikat ekzistuese.

"Në se Irani vazhdon rrugën e tanishme, ndaj tij do të ushtrohet presion dhe do të ndiqet politika e izolimit. Në se Irani heq dorë nga programi bërthmor i paligjshëm dhe mbështetja për terrorzimin, ndaj tij do të ketë stimuj të rëndësishëm," - tha zoti Bajden.

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit lidhen me politikën iraniane për të patur teknologji bërthamore. Teherani thotë se programi i tij bërthamor ka synime paqësore, thënie që SHBA dhe aleatët perëndimore e venë në pikëpyetje. Ato e akuzojnë Iranin se po përpiqet fshehurazi të sigurojë armë bërthamore dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka vendosur tri herë sanksione ndaj Iranit.Zoti Bajden thotë se SHBA do të jenë të përgatitura, në se Irani refuzon të ulet në bisedime.

"Ne do të vazhdojmë të prodhojmë raketa mbrojtëse për t'iu kundërvënë kapacitetit iranian gjithnjë në rritje, duke patur parasysh që teknologjia të jetë e provuar dhe me kosto të efektshme. Ne do ta bëjmë këtë në konsultim me aleatët e NATO-s dhe me Rusinë," - tha zoti Bajden.

Marrëdhënia e SHBA-së me Rusinë është një tjetër çështje delikate për administratën e re. Zoti Biden pranoi se ka patur një "shkarje të rrezikshme" në marrëdhëniet mes të dy vendeve. Ashtu sikurse zoti Biden, edhe Presidenti francez Nikola Sarkozi, tha se përmirësimi i lidhjeve mes Rusisë dhe Perëndimit është një çështje e rëndësishme.

Ai tha se duhet rikthyer besimi dhe se nuk mendon që Rusia e sotme përbën kërcënim ushtarak për NATO-n, apo BE-në.

Udhëheqës të tjerë presin të dëgjojnë më tepër për politikën e re amerikane. Kancelarja gjermane Angela Merkel është një prej tyre.

Ajo tha se Gjermania është e gatshme të veprojnë, ashtu sikurse SHBA, për të biseduar me Iranin. Por ajo paralajmëroi se Gjermania është e gatshme të vendosen sankione edhe më të forta, në se bisedimet nuk funksionojnë.

Vendet evropiane e mirëpritën zgjedhjen e zotit Obama President i SHBA-së dhe pjesëmarrja e zotit Biden në një konferencë që normalisht ndiqet nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, dërgoi një sinjal të rëndësishëm për evropianët, se administrata e zotit Obama është entuziaste për rindërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.//lk



XS
SM
MD
LG