Lidhje

Obama: Kompromisi për stimujt, i domosdoshëm për vendin

  • Kent Klajn

Presidenti Barak Obama po u bën thirrje senatorëve amerikanë të miratojnë pa humbur kohë paketën e stimujve për ekonominë, ndërsa Senati zhvilloi dje një takim të jashtëzakonshëm, për të debatuar për projektligjin. Në mesazhin e tij të përjavshëm, zoti Obama i vlerësoi senatorët demokratë dhe republikanë që arritën në një kompromis, për të cilin zoti Obama tha se është i nevojshëm për të shmangur katastrofën ekonomike.

Paketa e stimujve, apo projektligji, pas kompromisit të së premtes, ka tani vlerën e 780 miliardë dollarëve, pra rreth 110 miliardë dollarë më pak se paketa fillestare e propozuar nga demokratët.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Obama vlerësoi ligjvënësit për arritjen e kompromisit dhe u bëri thirrje atyre të veprojnë pa humbur kohë për miratimin e paketës.

"Shuma dhe fushat që do të përfshijë paketa e stimujve janë të nevojshme dhe tani është koha për të vepruar. Në se nuk veprojmë me shpejtësi për ta vënë në zbatim këtë plan, kriza ekonomike ku ndodhemi mund të shndërrohet në katastrofë kombëtare. Miliona amerikanë do të humbin vendet e punës, shtëpitë e tyre dhe shërbimin shëndetësor. Miliona amerikanëve do t’u mbeten ëndërrat të parealizuara," - tha Presidenti Obama.

Udhëheqësit republikanë vazhdojnë të thonë se plani është tepër i kushtueshëm, se programet që do të financojë janë të panevojshme dhe se ai mund të mos funksionojë. Kryetari i Komitetit Kombëtar të Republikanëve, Majkëll Still, në fjalimin e përjavshëm të partisë së tij, tha se pakësimi i taksave për amerikanët do të ishte një mënyrë më e efektshme për stimulimin e ekonomisë.

"Por demokratët kanë një filozofi të ndryshme nga ne. Në vend që paratë t’u lihen familjeve, ata duan që ato t’i marrë Washingtoni, t’i verë ato në punë përmes një qeverie të ngadalshme dhe jo efikase, duke shpresuar se ato do të sjellin përmirësime", - tha ai.

Presidenti Obama tha se shkurtimet e shumta të taksave gjatë administratës Bush, nuk e ndihmuan sa duhet ekonominë amerikane.

"Le të jemi të qartë. Ne nuk mund të presim lehtësim nga teoritë e vjetra dhe të konsumuara, që vetëm në 8 vjet e dyfishuan borxhin kombëtar, e hodhën ekonominë tonë në një gjendje paniku dhe na çuan në këtë gjendje të vështirë që ndodhemi tani," - tha Presidenti.

Në se paketa miratohet në Senat, një komitet i posaçëm do ta përpunojë atë dhe variantin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në janar dhe më pas, do t’ja dërgojë zotit Obama për firmë. Paketa e miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve kishte vlerën e 819 miliardë dolalrëve dhe ajo nuk u votua nga asnjë ligjvënës republikan.//lk

XS
SM
MD
LG