Lidhje

Prishtinë: Debate mbi integrimin e pakicave kombëtare


Autoritetet në Kosovë thanë sot se dokumentet më të larta juridike të vendit sigurojnë barazinë e të gjitha komuniteteve dhe integrimin e pakicave kombëtare. Këto komente u bënë në një tryezë mbi sfidat dhe mundësitë e integrimit të qëndrueshëm të komuniteteve romë, shkali e egjiptas në Kosovë, të organizuar nga Projekti për Marrëdhënie Etnike me seli në Shtetet e Bashkuara.

Drejtoresha ekzekutive e këtij Projekti Livia Plax tha se një numër shumë i madh i pjesëtarëve të këtyre komuniteteve janë të zhvendosur në vendet përreth Kosovës dhe në vendet e Evropës perëndimore.

“Ndonëse dhuna në Kosova ka marrë fund, ka ende të tillë që nuk duan të kthehen dhe nuk shohin ardhmëri në komunitetet ku kanë jetuar më parë. Në të njëjtën kohë, vendet perëndimore që pranuan një numër të madh refugjatësh gjatë luftërave në ish Jugosllavi, janë të interesuar t'i kthejnë ata në vendet e tyre të origjinës."

Zonja Plax tha se është me rëndësi të shihet nëse qeveria e Kosovës ka vullnet politikë dhe mundësi për të kthyer të zhvendosurit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj i siguroi pjesëmarrësit së institucionet e shohin çështjen e kthimit dhe integrimit të pakicave jo vetëm si sfidë por edhe përparësi të punës së tyre.

"Qeveria e Kosovës duke përvetësuar parimin e integrimit në baza të barabarta dhe respektimin e identitetit dhe përkatësisë të të gjithë qytetarëve për ta përmirësuar gjendjen e komuniteteve, ka adresuar dhe do të përkushtohet në vazhdimësi në respektimin dhe avancimin e politikave për mundësi të barabarta të tyre", tha zoti Manaj.

Ministri i brendshëm, Zenun Pajaziti tha se Kosova ka vullnetin për kthimin e të zhvendosurve, por tërhoqi vërejtjen se ajo ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare në veçanti për rimëkëmbjen ekonomike.

"Tani mund të themi se ne kemi të drejta afirmative për minoritetet që jetojnë në Kosovë. Është çështje tjetër që ne ende jemi larg një standardi të kënaqshëm ekonomik dhe një standardi të mirë jetësor për qytetarët por legjislacioni dhe institucionet që ne po i ndërtojmë janë të dedikuara për një përkujdesje më të madhe veçanërisht për pakicat", tha ministri Pajaziti.

Gjatë punimeve të kësaj tryeze u tha se kthimi i të zhvendosurve dhe integrimi i komuniteteve trajtohet si një nga sfidat e mëdha për institucionet e Kosovës, në veçanti integrimi i komunitetit serb. Pjesëtarët e këtij komuniteti të mbështetur nga Beogradi kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, e cila është pranuar nga të gjitha komunitetet tjera. //ad//
XS
SM
MD
LG