Lidhje

Ukrainasit, të zhgënjyer 5 vjet pas "Revolucionit Portokalli"


Grindjet politike dhe gjendja e rëndë ekonomike në Ukrainë kanë një kontrast të theksuar me periudhën e “Revolucionit portokalli” të vitit 2004, kur shpresat ishtin të shumta për të ardhmen e vendit. Në vazhdim, një analizë e gjendjes aktuale në skenën politike të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Viktor Jushçenko, u zgjodh në dhjetor të vitit 2004, pasi qindra mijëra përkrahës të tij dolën nëpër rrugë për të protestuar ndaj rezultateve të zgjedhjeve të mëparëshme, që u shpallën të manipuluara nga Gjykata e Lartë e Ukrainës dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.Ajo protestë masive u njoh si “Revolucioni portokalli”, i cili e mori emrin nga ngjyra me të cilin ishin veshur përkrahësit e zotit Yushchenko.

Në zgjedhjet e dyta që u mbajtën me urdhër të gjykatës, Jushçenko fitoi ndaj Viktor Janukoviç-it, që është tani kryetar i partisë të fuqishme “Partia e Rajoneve” në Parlamentin e Ukrainës, ose Rada.

Një ndjenjë e fuqishme euforie përfshiu atëhere Ukrainën, se “Revolucioni Portokalli” do të hapte një epokë të re në vend. Por analistët thonë se ky besim u shua shpejt, pasi Presidenti Jushçenko dhe ish aleatja e tij, tani Kryeministre e vendit, Julia Timoshenko, janë mbërthyer në një luftë të ashpër politike që vazhdon edhe sot.

Robert Legvold është profesor i Universitetit Kolumbia në New York:

"Shumë shpejt pas ngjarjeve të 2004, të dy palët u ndanë, pjesërisht për shkak të pikpamjeve të papajtueshme mes Timoshenko-s dhe Jushçenko-s lidhur me platformën politike. Dhe që prej atëhere ata nuk kanë qënë në gjendje të gjejnë një gjuhë të përbashkët, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por as për ata që i mbështesin në parlament dhe në kabinet. Dhe është vështirë të thuhet nëse gjendje poltike në krizë në Ukrainë do t’i detyrojë ata të shikojnë përtej interesave personale dhe mosmarrëveshjeve politike”, - thotë profesori.

Ekspertët thonë se lufta politike, e shoqëruar me akuzat për korrupsion në administratën e zotit Jushçenko i kanë zhgënjyer edhe më tepër ukrainasit.

Katinska Barish, e Qendrës për Reformën Evropiane me seli në Londër, thotë se gjendja e rëndë ekonomike e Ukrainës është një tjetër tregues i keq në disfavor të zotit Jushçenko.

"Ekonomia e Ukrainës është në rënie përpendikulare. Prodhimi industrial po bie me një ritëm prej 30 për qindsh krahasuar me një vit më parë. Qeverisë ju desh t’i kërkojë FMN-së 16 milionë Euro hua. Inflacioni ka arritur mbi 10. Buxheti i tyre është jashtë kontrollit. Pra, një situatë tepër e vështirë ekonomike."

Ekspertët gjithashtu thonë se kriza e kohëve të fundit me Rusinë lidhur me çmimin e gazit natyror nuk e ka ndihmuar reputacionin e Ukrainës si një furnizues i besueshëm me energji për Evropën. Rreth çereku i gazit natyror të Evropës vjen nga kompania Gazprom, monopoli rus i naftës. 80 për qind e gazit që ajo i dërgon Perëndimit kalon përmes të njëjtave tubacione që furnizojnë Ukrainën.

Zyrtarët rusë e kanë akuzuar Ukrainën se ka ndërprerë dërgesat e gazit ndaj Evropës, një akuzë që e kanë mohuar udhëheqësit ukrainas. Për 13 ditë në janar, në njërin prej dimrave më të ftohtë në disa vite, dërgesat e gazit u ndërprenë menjëherë ndaj 18 vendeve evropiane.

Shumë analistë thonë se mosmarrëveshja me Rusinë i ka dëmtuar shanset e Ukrainës për anëtarësim në BE.

Robert Legvold, profesor në Universitetin Kolumbia të New York-ut, thotë se kriza e gazit mes Moskës dhe Kievit është një simptomë e problemeve të tjera që ka vendi.

"Kriza e gazit është thjesht treguesi i fundit i problemeve që kanë ekzistuar prej vitesh, që udhëheqja e Ukrainës ka dështuar në zhvillimin e një strategjie koherente për trajtimin e çështjeve kryesore ekonomike që ka vendi. Kur pati një rritje të rëndësishme ekonomike në Ukrainë, një lloj dinamizmi para krizës financiare aktuale, kjo i dha një lloj prehjeje Evoprës. Evropianët duan ta ndihmojnë Ukrainën dhe ja duan të mirën atij vendi. Ata duan ta ndihmojnë Kievin të kryejë reformat e nevojshme ekonomike, por ka një limit në ndihmën e tyre. Dhe kjo ka qenë historia prej më tepër se dy vjetësh,” - thotë ai.

David Marples, në Universitetin e Albertës në Kanada, thotë se duke patur parasysh të gjitha problemet që ka Ukraina, mbështetja për Presidentin Jushçenko ka arritur në nivelin më të ulët që ka patur ndonjëherë.

"Popullariteti i tij ka rënë shumë në Ukrainë. Aktualisht është në shifrën nën 10 për qind, por sipas disa anketimeve të tjera, është edhe më pak. Kjo është një shifër shumë e ulët, madje historike për një udhëheqës evropian. Është për t’u çuditur dhe unë nuk e shoh mundësinë që ai të zgjidhet prapë në zgjehdjet e ardhshme. Vetëm në se ndodh diçka vërtet dramatike...",- thotë profesori.

Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë pritet të mbahen në muajin dhjetor, ose në janarin e vitit të ardhshëm. Ndërkohë, analisti Marples dhe të tjerë thonë se Presidenti Jushçenko dhe kryeministrja Timoshenko duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dhe të fillojnë t’i trajtojnë me seriozitet problemet e Ukrainës, ashtu sikurse premtuan gjatë "Revolucionit Portokalli" të vitit 2004.//lk

XS
SM
MD
LG