Lidhje

Hamid Karzai i del në mbrojte arritjeve në Afganistan

  • Lisa Briant

Presidenti afgan Hamid Karzai mbrojti arritjet e vendit të tij drejt paqës dhe nxiti pajtimin me anëtarët e Talebanit të cilët nuk janë pjesë e al-Kaidës. Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant, njofton për përfundimet e konferencës së nivelit të lartë të sigurisë, e cila u mbajt në Mynih të Gjermanisë.

Gjatë fjalimit para udhëheqësve të botës dhe ekspertëve të lartë të sigurisë, Presidenti afgan Hamid Karzai hodhi poshtë kritikat se Afganistani është një shtet i dështuar, duke thënë se vendi i tij i dëmtuar nga lufta do të mund të përparonte në se do të ishte trajtuar siç duhet. Ai u bëri thirrje anëtarëve të lëvizjës së Talebanit, të cilët nuk kanë lidhje me al-Kaidën, dhe të cilët dëshirojnë paqe, të kthehen në vendin e tyre.

“Ne do të ftojmë të gjithë ata pjestarë të Talebanit, të cilët nuk janë të përfshirë me al-Kaidën, të cilët nuk janë pjesë e rrjeteve terroriste, që kanë dëshirë të kthehen në vendin e tyre, që aspirojnë paqen për vendin dhe që dëshirojnë të jetojnë një jetë normale, të kthehen në vendin e tyre. Unë do t’i kërkoja bashkësisë ndërkombëtare të na përkrahë plotësisht për këtë çështje.”

Zoti Karzai foli në fund të Konferencës për Sigurinë në Mynih, ku u bisedua për shumë çeshtje të tjera kritike, si për programin bërthamor të Iranit, marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë dhe Evropën Perendimore, për konfliktin e vitit të kaluar mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, e shumë çështje të tjera.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare dhe Gjenerali i dalë në pension, James Jones, u tha pjesëmarrësve të konferencës se Aleanca e NATO-s duhet të arrijë sukses në Afganistan.

“Ne nuk mund të lejojmë një humbje në Afganistan. Kjo është arsyeja pse administrata e presidentit Obama do të punojë se bashku me NATO-në dhe me qeveritë e Afganistanit dhe të Pakistanit, për të përpiluar një strategji gjithëpërfshirëse, e cila do të mundësonte të arrinim synimet e mundshme. Kjo do të jetë një përpjekje e përbashkët me aleatët tonë. Afganistani nuk është një çështje shqetësuese vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare.”

Kjo konferencë ishte një mundësi për anëtarët e administratës së presidentit amerikan Barak Obama për t’i takuar me udhëheqës kryesorë dhe specialistë të mbrojtjes nga e gjithë bota.
Dje, Zëvendës Presidenti Joseph Biden pati rastin të bisedojë me Zëvendës Kryeministrin rus, Sergej Ivanov. Bisedimet mes këtyre dy udhëheqësve përbëjnë takimin në nivelin më të lartë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara që nga ardhja në zyrë e Presidentit Obama.//ap

XS
SM
MD
LG