Lidhje

Izraeli në prag të zgjedhjeve kombëtare


Izraeli mban më 10 shkurt zgjedhjet e pesta kombëtare që prej 10 vjetësh. Siguria është një nga shqetësimet më të mëdha të votuesve, shumë prej të cilëve janë të zemëruar me udhëheqjen izraelite, pasi Hamasi nuk u hoq nga pushteti gjatë ofensivës së fundit në Rripin e Gazës.

Disa javë pas ofensivës 22 ditore në Gaza, raketat vazhdojnë të godasin Izraelin jugor, po aq sa edhe javët para saj.

Në tregun Mahane Yehuda të Jeruzalemit Perëndimor, njerëzit flasin me zemërim për strategjinë e udhëheqësve izraelitë kundër Hamasit.

“Duhet të kishin vazhduar derisa t’i eliminonin. Ata flasin për negociata dhe thonë se po bëjnë përparim. Çfarë përparimi,” thotë një votuese.

Partia centriste Kadima e Ministres së Jashtme Tzipi Livni i konsolidoi pozitat në anketa gjatë ofensivës 22 ditore në Gaza. Por mbështetja po bie, duke i lënë vendin zhgënjimit.

Sondazhet tani tregojnë se ish-Kryeministri Benjamin Netanyahu i partisë së vijës së fortë Likud është shumë përpara Kadimës.

Zoti Netanjahu ka thënë se do të negociojë me palestinezët. Por ai nuk ofron lëshime për çështje themelore si mbajtja e gjithë Jeruzalemit nën kontrollin izraelit dhe e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor. Ai do që Hamasi të përmbyset.

Retorika e tij e ashpër gjen mbështetje tek ata që janë të zemëruar me negociatat e bllokuara për paqen me palestinezët dhe ajo që ata shohin si dështimin e udhëheqjes së Kadimës për të frenuar militantët në Gaza.

“Në Izrael ka një frymë shumë antagoniste aktualisht kundër arabëve dhe nuk ka dëshirë për paqe. Më shumë ka prirje për luftë në këtë moment. Njerëzit nuk janë të kënaqur me rezultatet e luftës, jo për ato që disa njerëz menduan se ishin krime lufte, por sepse ata besojnë se duhet të kishim qenë më të ashpër”.

Tzipi Livni ka bërë fushatë duke e vënë theksin tek aftësia e saj për të negociuar, por edhe për t’u treguar e ashpër nëse është e nevojshme, diçka që ajo shpresonte të tregonte duke udhëhequr luftën në Gazë.

Rezultatet e votimit do të tregojnë se çfarë rruge do të zgjedhin këtë radhë izraelitët drejt paqes. //ad//
XS
SM
MD
LG