Lidhje

Presidenti Obama komenton për politikën e jashtëme


Në konferencën e tij të parë për shtyp, megjithëse shumica e pyetjeve kishin të bënin me ekonominë, zoti Obama foli edhe për politikën e jashtëme.

Presidenti la të kuptohet se kontaktet diplomatike me Iranin mund të jenë në shqyrtim e sipër.

"Shpresa ime është se në muajt e ardhshëm ne do të kërkojmë të çara që mund të krijohen dhe që të na lejojnë të fillojmë të ulemi në tryezë përballë njëri-tjetrit, me nisma diplomatike që do të na lejojnë t’i japim politikës sonë një drejtim të ri."

Ai tërhoqi vemendjen për faktin se kanë qenë dekada të tëra mosbesimi dhe se gjërat nuk do të ndryshojnë brenda natës. Presidenti Obama theksoi se Irani vazhdon të mbështesë grupe militante, të kërkojë armë bërthamore dhe të nxisë paqendrueshmërinë në Lindjen e Mesme.

"Do të vendosen një numër objektivash që do të kemi në këto bisedime. Por mendoj se ekziston mundësia që të paktën të kemi marrëdhënie të respektit reciprok."

Zoti Obama foli pastaj për Afganistanin duke theksuan shqetësimin rreth mungesës së përparimit në frontin politik, që sipas tij ka mbetur prapa Irakut. Ai theksoi se aktualisht po bëhet rishikimi i politikës së Uashingtonit për Afganistanin.

"Do të kemi nevojë për bashkërendim më të efektshëm të ushtrisë sonë me përpjekjet tona diplomatike dhe të zhvillimit si dhe bashkërendim më të efektshëm me aleatët tanë."

Presidenti Obama theksoi më pas nevojën për të mos lejuar terroristët në Azinë Jugore që të planifikojnë një tjetër sulm kundër Shteteve të Bashkuara. Ai tha se Al Kaida nuk duhet të lejohet të veprojë dhe se në Afganistan apo në zonën malore kutare me Pakistanin nuk duhet lejuar të strehohen terroristët.

"Ne duhet të punojmë me mënyra rajonale për të çrrënjosur këto strehë terroriste. Nuk është e lejueshme për Pakistanin ose për ne që të ekzistojnë njerëz që vrasin persona të pafajshëm, burra, gra e fëmijë, pa u ndëshkuar.”

Presidenti Obama tha se i dërguari i tij për Azinë Jugore, Riçard Hollbruk, ndodhet tani në rajon. Zoti Hollbruk, tha ai, po i dërgon Islamabadit mesazhin se edhe Pakistani kërcënohet nga terroristët në territorin e tij. //ii

XS
SM
MD
LG