Lidhje

Pejsazhi politik në Iran në 30 vjetorin e Revolucionit


Irani ka fasadën e një shteti demokratik me të gjithë elementet e tij. Në atë vend mbahen zgjedhjet, ekziston një parlament funksional dhe një krye-ekzekutiv në formën e presidentit.

Por siç shprehet analisti i çështjeve të Lindjes së Mesme, Aleks Vatanka, gjërat nuk janë ashtu siç duken.

“Le të jemi të sinqertë. Irani është shumë më demokratik se sa shumica e fqinjëve të tij në Lindjen e Mesme. Irani zhvillon zgjedhje, megjithëse ato nuk janë të lira e të drejta, e as demokratike. Në Iran kemi të bëjmë me një regjim që i thotë elektoratit se për cilin kandidat duhet të votojë”.

Pushteti i vërtetë në Iran është në duart e Ajatollah Ali Kameneit, udhëheqësi suprem i republikës islamike.

Ai është vetëm personi i dytë që mban këtë post. I pari ishte babai i Iranit islamik, Ajatollahu Komenei.

Pushtet kanë edhe rreth 50 veta, të cilët janë pjesë e organeve të tilla si Këshilli i Gardës dhe Këshilli Suprem.

Parlamenti mund të kritikojë presidentin, madje e ka bërë këtë, veçanërisht lidhur me politikat ekonomike, por ka prirjen të qëndrojë larg çështjeve sensitive si programi bërthamor dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Korpusi iranian i gardës revolucionare u krijua si fuqi qendrore pas luftës 8 vjeçare me Irakun në vitet 80-të.

Presidenti Mahmoud Ahmadinejad, i njohur më së miri në Perëndim për retorikën e tij të ashpër, ishte anëtar i gardës revolucionare si dhe veteran lufte dhe mbështetja politike i vjen nga ish shokët e tij. Por nuk është e qartë se sa autoritet ka ai apo çdo president tjetër në çështjet politike.

Analistët thonë se ekonomia pritet të jetë çështja kryesore në zgjedhjet e qershorit. Të ardhurat nga nafta kanë rënë ndjeshëm dhe inflacioni vitin e kaluar ishte më shumë se 25 për qind.

Reva Balla, analiste e çështjeve të Iranit me firmën private të zbulimit, Stratfor, thotë se subvencionet, që u bëjnë të mundur konsumatorëve ta blejnë naftën fare lirë, janë shumë të kushtueshme, por edhe shumë popullore.

“Po bëhet më e vështirë për Iranin që të mbështetet në të ardhurat e veta, dhe për më tepër të vazhdojë subvencionet, prandaj ne do të shikojmë bllokimin e subvencioneve. Ndërkohë ne kemi dëgjuar mjaft kritika në adresë të presidentit iranian dhe jam më se e sigurtë se këto kritika do të dalin në dritë në zgjedhjet e qershorit”.

Presidenti amerikan Barak Obama ka lënë të kuptohet se është gati të bisedojë drejtpërdrejt me Iranin, nëse rrethanat janë të përshtatshme.

Garda Revolucionare, thotë analistja Balla, ka të ngjarë të luajë rol në zgjedhjet e ardhshme si dhe në çdo dialog të ardhshëm mes Shteteve të e Bashkuara dhe Iranit.

“Një gjë nuk duhet harruar se pavarësisht se kush fiton në zgjedhje, korpusi iranian i Gardës Revolucionare është dhe do të jetë një lojrat shumë i rëndësishëm. Ky korpus i takon fraksionit tepër konservator brënda Iranit”.

Por 30 vjet dyshime dhe armiqësi nuk mund të zhduken menjëherë nëpërmjet zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe në Iran. (ze)

XS
SM
MD
LG