Lidhje

Themelohet Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Kosovë


Udhëheqësit e Kosovës thanë sot se qëndrueshmëria e vendit nuk është e kërcënuar dhe gjendja e sigurisë është duke u forcuar. Ata i bënë këto komente në takimin e parë të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, i cili u cilësua si institucion me rëndësi thelbësore për garantimin e sovranitetit shtetëror të Kosovës.

Këshilli Kombëtar i Sigurisë ka për detyrë përgatitjen e strategjisë së sigurisë dhe këshillimin e institucioneve të vendin për çështje të sigurisë. Krijimi i tij është paraparë edhe me planin e krye negociatorit Marti Ahtisari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi, i cili drejton Këshillin, përveç në raste të jashtëzakonshme kur këtë duhet ta bëjë presidenti i vendit, tha se institucionet e sigurisë do të bashkëpunojnë ngushtë me ato të vendeve të rajonit dhe më gjerë për të luftuar krimin, kontrabandën dhe trafiqet e paligjshme.

“Ky forum i rëndësishëm t'i shërbejë parimit tonë të përbashkët dhe themelor për një Kosovë të sigurt, shtet demokratik, shumetnik, me kufij te respektuar e të garantuar ndërkombëtarisht e të pacenueshëm nga askush, që nënkupton prosperitet për qytetarët e Kosovës dhe stabilitet për rajonin”, tha kryeministri Thaçi.

Presidenti i vendit Fatmir Sejdiu dhe kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi e vlerësuan krijimin e këtij këshilli si një moment të rëndësishëm historik për Kosovën.

“Është shprehje e gatishmërisë më të mirë të mundshme për partneritet të rëndësishëm për paqe e stabilitet dhe që Kosova merr përgjegjësitë e veta edhe në fushën e sigurisë, në pjekjen e saj si vend demokratik e sovran” , theksoi presidenti Sejdiu.

“Është një dëshmi tjetër se shkalla e sigurisë në Kosovë është në ngritje dhe nga sot, kjo ngritje do të jetë më e organizuar, më e profesionalizuar dhe më substanciale për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë,” tha krye parlamentari Krasniqi Këshilli u mbështet nga Zyra Civile ndërkombëtare dhe përfaqësitë diplomatike në vend.

Këshilli Kombëtar i Sigurisë u themelua pak ditë para shënimit të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës që nuk është pranuar asnjëherë nga Beogradi dhe serbët e Kosovës, të cilët kundërshtojnë edhe institucionet e vendit. //bsa//


XS
SM
MD
LG