Lidhje

Përkujtohet 200 vjetori i babait të evolucionit, Çarls Darvin


Të enjten (12 shkurt) është 200 vjetori i lindjes së Çarls Darvinit. Darvini ishte një biolog anglez, idetë e të cilit mbi evolucionin e bënë atë një nga shkencëtarët më me ndikim në histori. Fotografia më e famshme e tij e tregon Darvinin si një të moshuar të zymtë, me një mjekër të gjatë të bardhë. Por, siç thotë korrespondenti i Zërit të Amerikës Art Çims, Çarls Darvini ishte shumë më tepër se kaq.

Riçard Milner nuk është një shkrimtar tipik akademik. Ai ka shkruar rreth Darvinit dhe ka studiuar librat dhe letrat e tij. Por po ashtu ai vishet me kostume të shekullit të 19-të për t’u bërë si Çarls Darvini në një nga shfaqjet muzikore që ka krijuar. Zoti Milner flet me pasion për diapazonin e jetës dhe veprës së Darvinit.

"Ai ishte eksplorues. Ishte grumbullues informacioni. Ai ngjiti male. Ngau kuaj. Ishte një abolicionist që e urrente skllavërinë. Studioi gjeologjinë dhe botanikën. Ishte filozof. Ishte babai i 10 fëmijëve. La pas qindra studime dhe libra. Pra ishte një njeri i madh me mendje dhe me një jetë të shquar".

Darvini njihet si babai i evolucionit, njeriu që përshkoi botën me anijen britanike Beagle, duke mbajtur shënime dhe grumbulluar mostra dhe që më vonë i paraqiti botës konceptin e seleksionimit natyror.

Libri i tij Origjina e Specieve, botuar 150 vjet më parë, përshkruan vëzhgimet e tij të kujdesshme si biolog, veçanërisht përgjatë bregdetit të Amerikës së Jugut.

Libri mbi evolucionin doli më shumë se 20 vjet pasi Darvini u kthye nga udhëtimi i tij me anijen Beagle. Pas botimit, pati reagime të fuqishme dhe shpesh negative ndaj teorisë së tij të padëgjuar deri atëhere se bimët dhe kafshët kishin qënë dhe do të ishin gjithmonë ashtu siç janë tani.

Në fillim pati një kundërshtim të madh. Dhe sigurisht që pati disa momente shumë të famshme. Gruaja e një prifti thuhet të ketë thënë:

“Vijmë nga majmunët? O zot, të shpresojmë se kjo nuk është e vërtetë. Por në se është e vërtetë atëherë të shpresojmë që të mos bëhet publike”.

Shfaqja e Riçard Millerit, me një personazh të vetëm, ka shumë parodi që janë më pak revolucionare sesa të themi evolucionare. Këtu ai këndon për një shkencëtar tjetër që me të drejtë duhet të ketë të njejtat merita që i janë dhënë Darvinit.

Një biolog më i ri, 14 vjetë më i ri se ai, i quajtur Alfred Rasëll Uollis, punoi vetë në xhunglat e Malajzisë dhe arriti në një teori të ngjashme të seleksionimit natyror dhe ja dërgoi studimin e tij Darvinit me postë. Kur e mori, ai u trondit pa masë. Për këtë moment kam shkruar një këngë. Pati një moment kur tha, le të jetë ai i pari. Më mirë t’i vë flakën gjithë librit tim sesa të lejojë njerëzit të mendojnë se i mora idetë nga Uollis.

Është kjo një nga shumë këngët e kompozuara nga Riçard Millner për të treguar historinë e Darvinit dhe të evolucionit. Libri i tij i fundit Universi i Darvinit do të dalë në treg në muajin maj. //ek

XS
SM
MD
LG