Lidhje

Analistët, opinione të ndryshme ndaj planit të zotit Gaithner

  • Beri Ud
  • Uashington

Shefat ekzekutivë të tetë bankave kryesore në Shtetet e Bashkuara u thirrën dje para një komisoni të Kongresit, ku ju përgjigjën kritikave lidhur me mënyrën se si i përdorën fondet për rimëkëmbjen urgjente të ju dhanë nga qeveria. Përfaqësuesit e Bankave u morën në pyetje lidhur me mënyrën e shpenzimit të 160 miliardë dollarëve nga paratë e taksapaguesve. Të gjithë ata thanë se i kishin përdorur paratë për të shtuar kredidhënien, që ishte edhe synimi i Kongresit në miratimin e fondit urgjent për bankat. Në një tjetër seancë me pyetje-përgjigje në Kongres, Sekretari i Thesarit, Timothi Gaithner i tha Komisionit të Buxhetit në Senat se po punon për hollësitë e një plani për injektimin e deri 2 trilionë dollarëve në sektorin financiar. Ndërkohë, analistët dhe investitorët dhanë opinione të ndryshme dje ndaj planit të Sekretarit të Thesarit Gaithner.

Plani i zotit Gaithner synon fillimin e funksionimit të tregjeve të ngrira të aksioneve dhe eliminimin e borxheve të këqija nga sistemi bankar. Përgjigja fillestare e tregjeve ishte negative, tregjet e aksioneve në Shtete e Bashkuara ranë së tepërmi. Dje pati një lloj rritjeje, por mund të thuhet se ende mbizotëron një ndjenjë aspak pozitive. Ganar Miller është aksionist në firmën e investimeve "Allianz Global" në Londër. Ai thotë se inevestitorët kërkonin më tepër qartësi nga Thesari, por nuk e morën dot atë.

"Unë mendoj se formuluesit e politikave tani nuk duan të japin detaje dhe tregjet kanë nevojë pikërisht këtë. Por ata thjesht nuk do të jenë të aftë ta arrijnë këtë."

Drejtuesit kryesorë të Bankave amerikane që kanë marrë paratë e taksapaguesve në kuadrin e përpjekjeve të mëparshme të qeverisë për eliminimin e borxheve të bankave nuk morën pjesë në përgatitjen e planit të administratës së zotit Obama.

Dje ata dëshmuan para një komisioni të Kongresit, duke ju përgjigjur pyetjeve të ligjvënësve, të cilët ishin të zemëruar për praktikat e tyre të shpenzimeve, siç sihte dhënia bonuseve të fund të vitit. Xhemi Dimond, kreu i Kompanisë aksioniste "JP Morgan Chase", tha se ai e mbështet planin e zotit Gaithner.

"Unë jam i mendimit se gjithshka në plan është menduar mirë dhe se ai do të kenë një ndikim tepër pozitiv në vend."

Por të tjerë nuk janë të bindur për këtë. Investori Xhim Roxhers, një ish partner i investitorit të njohur Xhorxh Sorros, e kritikoi planin e zotit Gaithner dhe planin e stimujve të ekonomisë, sepse sipas tij, ato nxisin shpenzime të jashtëzakonshme si ato që e zgjatën krizën financiare në Japoni në vitet 1990.

"Japonezët shpenzuan shumë para dhe në të njëjtën kohë ata refuzuan të rifreskonin sistemin e tyre bankar. Amerika po bën të njëjtin gabim. Dhe politikanët po e keqësojnë situatën, në vend që ta përmirësojnë."

Plani i zotit Gaithner sugjeron që bankave duhet t’u lihen në dispozicion më tepër para nga qeveria, që ato të kapërcejnë gjendjen e aktuale të krizës, në mënyrë që të rifillojnë dhënien normale të huave ndaj bizneseve edhe konsumatorëve.//lk



XS
SM
MD
LG