Lidhje

200 vjetori i lindjes së ish presidentit, Abraham Linkoln


Sot, amerikanët përkujtojnë 200 vjetorin e lindjes së presidentit të 16-të të Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkoln. Ceremonitë përkujtimore kanë filluar tashmë me një numër aktivitetesh dhe ekspozitash të posaçme për të nderuar Linkolnin, një udhëheqës që vazhdon të frymëzojë shumë njerëz, mes tyre edhe presidentin e ri amerikan, Barak Obama.

Kur zoti Obama bëri betimin si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara, ai e vuri dorën mbi biblën, që përdori edhe Abraham Linkolni kur ai bëri të njëjtin betim para gati 150 vjetësh.

Që nga dita kur njoftoi kandidaturën e tij në qytetin e Linkolnit, Springfield, Illinois, zoti Obama u përpoq të evokonte presidentin e 16-të, duke u bërë jehonë fjalëve të Linkolnit në fjalimin e fitores më 4 nëntor.

Ka një arsye që zoti Obama zgjodhi ta lidhte veten me Linkolnin, thotë Heri Rubenstein, kurator i ekspozitës Abraham Linkoln: Një jetë e mrekullueshme, në muzeun kombëtar të historisë amerikane.

“Ne mendojmë se Abraham Linkolni dhe ëndërra amerikane janë të lidhura me njera tjetrën”.

Jeta e Linkolnit është e mbushur me mite: i lindur në një kabinë prej druri, i vetë arsimuar dhe më në fund u bë president. Ai udhëhoqi vendin gjatë Luftës Civile, kriza më e rëndë e Amerikës, duke ruajtur integritetin territorial dhe duke i dhënë fund skllavërisë. Ai u vra ndërsa shikonte një shfaqje teatrale.

“Linkolni do të mbahet mend si një prej presidentëve tanë më të mëdhenj, me rolin e tij udhëheqës, mënyrën se si e zgjidhi ai krizën. Ai ishte pragmatist me ide të forta. Kushdo që vjen në postin e Presidentit ka pranë hijen e Linkolnit”, thotë zoti Rubenstein.

Në galerinë e muzeut të historisë amerikane mund të gjesh objekte të jetës së Linkolnit: një sopatë hekuri, që e përdorte për të çarë dru, inicialet e tij janë gdhëndur aty nga Linkolni i ri, një kupë me të cilën pinte dhe kapelen që ai kishte vënë natën që u vra. Ideja është të jepet dimensioni njerëzor i Linkolnit.

Historiani Dejvid Uord thotë se kjo është diçka e vështirë.

“Është e qartë se rreth Linkolnit, ashtu si edhe rreth Napoleon Bonapartit, janë shkruar më shumë biografi se për çdo njeri tjetër. Mendoj se shkrimet e shumta rreth tij tregojnë se jo vetëm që ne duam të mësojmë më shumë rreth tij, por në fakt ne nuk e njohim atë sa duhet”.

Zoti Uord është kurator i ekspozitës Një Jetë: Maska e Linkolnit, pjesë e Galerisë Kombëtare të Portreteve. Kjo ekspozitë përfshin dy shembëlltyra në formë maske të Linkolnit, të marra në vitin 1860 para se të kandidonte për president dhe tjetra më 1865, pak para se ai të vritej, që tregojnë se si detyra e presidentit e plaku atë. Por shumica e imazheve janë fotografi.

“Linkolni ishte me të vërtet presidenti i parë i medias, thotë zoti Uord, nëse mund të përdoret kjo fjalë për vitet 1840 dhe 50. Çdo herë që Linkolni mbante një fjalim të rëndësishëm, ai merrej në fotografi. Ai dëshironte të paraqiste një imazh tek publiku rreth personit dhe udhëheqësit që ai donte të ishte”.

Një prej fotografive më të fundit, e marrë në shkurt të vitit 1865, ka një shenjë si të çarë në negativin e mbrojtur në xham, që duket sikur tregon rrugën e plumbit që do të merrte jetën e Linkolnit pas më pak se dy muajsh.

“Këtu jemi në fund të luftës civile. Ai nuk mund ta dinte se do të vritej. Ekziston një farë ndjenje mortore, por edhe një ndjenjë e vazhdimit të jetës. Linkolni e dinte se e kishte përmbushur misonin për të ruajtur vendin të bashkuar, për të çliruar skllevërit dhe për t’u dhënë të drejta afrikano-amerikanëve. Mendoj se fakti që një person me ngjyrë është tani president do ta prekte shumë Linkolnin”.

Nuk ka dyshim se fakti që Barak Obama zgjodhi Linkolnin si frymëzim të tij do ta kënaqte presidentin e 16-të. (ze)

XS
SM
MD
LG