Lidhje

Afganistan: Mësimet e nxjerra nga tërheqja e sovjetikëve


Kanë kaluar 20 vjet që kur Bashkimi Sovjetik i dha fund ndërhyrjes ushtarake në Afganistan. Disa veteranë të luftës sovietike, të traumatizuar nga lufta, nuk pranuan të flisnin për këtë përvojë, ndërsa të tjerë reflektuan mbi përvojën e tyre dhe folën mbi mësimet, që sipas tyre duhet të merren parasysh nga forcat e NATOs që po luftojnë me rebelët afganë që prej vitit 2001.

Më 15 shkurt 1989 gjenerali në komandë, Boris Gromov ishte ushtari i fundit sovietik që largohej nga Afganistani duke ecur përmes Urës së Miqësisë, e cila lidhte Afganistanin e shkatërruar nga lufta me atë që atëherë ishte Uzbekistani Sovietik. Afro 15 mijë ushtarë, këshilltarë dhe zyrtarë të tjerë sovietikë humbën jetën gjatë luftës që Moska e kishte nisur në dhjetor të vitit 1979. Sot gjenerali Gromov është i bindur, se problemet politike në Afganistan nuk mund të zgjidhen përmes ndërhyrjeve ushtarake. Ai foli kohët e fundit gjatë një konference në Moskë.

Gromov thotë se forca nuk do të arrijë ndonjë rezultat në Afganistan dhe vuri re se rritja, apo ulja e fuqisë ushtarake do të sjellë vetëm rezultate negative. Gjenerali thotë se zgjidhja më e mirë në Afganistan është arritja e një marrëveshjeje me vendasit.

Ai thotë se misioni i forcave sovietike në Afganistan nuk ka qënë asnjëherë arritja e një fitoreje ushtarake, por ndihmë ndaj udhëheqësve pro-sovietikë të vendit në luftën kundër trafikut të drogës dhe në mbrojtje të naftësjellësve, rrugëve dhe qyteteve kundër sulmeve terroriste.

Ky arsyetim hidhet poshtë nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e bashkësisë ndërkombëtare që e panë pushtimin afgan si një përpjekje agresive për të zgjeruar ndikimin e Moskës. Sipas njohësve të pavarur të rajonit, tregtia e drogës në Afganistan nuk e prekte Bashkimin Sovietik, ndërsa vendi nuk kishte tubacione nafte në vitin 1979, që kishin nevojë për mbrojtje.

Rebelët afganë anti-sovietikë të njohur ndryshe si “muxhahedinët”, morën disa armë nga Shtetet e Bashkuara. Por ironikisht, disa nga këta rebelë iu bashkuan talebanëve dhe tani luftojnë kundër forcave amerikane në Afganistan.

Analisti i pavarur ushtarak rus, Pavel Felgenhauer, thotë se ndryshe nga muxhahedinët, talebanët sot nuk furnizohen nga ndonjë qeveri e huaj, çfarë mund të ndikojë në shanset e NATO-s për të arritur një marrëveshje me armikun.

Zoti Felgenhauer thotë se muxhahedinët, të cilët përbënin pjesën më të madhe të luftëtarëve u mbështetën nga Kina, Arabia Saudite dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara, të cilët i pajisën ata me armë moderne. Talebanët sipas tij nuk mbështeten nga ndonjë vend i rëndësishëm, por nga elemente pakistaneze që nuk i përkasin shtetit pakistanez si dhe nga Al Kaeda.
Felgenhauer thotë se një marrëveshje mes ndërkombëtarëve dhe palës afgane është aktualisht e mundshme, por paralajmëron kjo nuk është e sigurtë që do të ndodhë.

Një faktor që e komplikon akoma më shumë situatën është edhe tregtia e drogës gjithnjë e në rritje në Afganistan që drejtohet nga talibanët. Kjo sipas analistit, e detyron NATO-n të luftojë bujqit që kultivojnë opiumin dhe kjo rrit opizitën e vendasve ndaj Aleancës.

Dmitri Popov mori pjesë në dy vjetët e fundit të luftës afgane dhe e nisi karrierën e tij ushtarake si ushtar i thjeshtë dhe e përfundoi si kryerreshter. Sot ai drejton një grup veteranësh të luftës afgane në Moskë.

Sipas tij, megjithë armatimin e shkëlqyer dhe moralin e lartë të trupave, forcat sovietike nuk mundën të tejkalonin psikozën e afganëve të thjeshtë.

Zoti Popov thotë se afganët kanë pasur një mision tjetër, atë të mbrojtjes së lirive të të tjerëve. Sipas tij, afganët i shohin të huajt si pushtues dhe si njerëz që duan të imponojnë besimin dhe kulturën e tyre tek ta dhe afganët, siç thotë ai, nuk e duan diçka të tillë.

Dmitri Popov dhe gjenerali Gromov nuk kanë shumë besim tek suksesi i NATOs në Afganistan. Gjenerali thotë se do të ishte më mirë nëse Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera do të bashkëpunonin për një zgjidhje paqësore në Afganistan. Sipas tij së bashku të gjitha palët mund të përmirësojnë marëdhëniet me Afganistanin, çka do t’i jepte fund luftimeve dhe do t’i jepte vendit një mundësi të zhvillohej.

Por sipas analistit Pavel Felgenhauer Moska është e gatshme të ndihmojë Uashingtonin, por kjo duke mbrojtur interesat e veta dhe nëse Shtetet e Bashkuara do t’i lejonin Moskës të ruante sferën e influencës në rajon.

Por nënpresidenti amerikan Xho Bajden tha gjatë një konference për sigurinë në Mynih se Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin sferën e influencës ruse.

Në të njëjtën kohë zoti Bajden theksoi se NATO dhe Rusia mund dhe duhet të bashkëpunojnë në luftën kundër talebanëve dhe Al Kaedës, armiqve të përbashkët. (ze)

XS
SM
MD
LG