Lidhje

Tensione mes Koreve në prag të vizitës së Sekretares së Shtetit Klinton


Në Korenë e Jugut, sistemet e mbrojtjes nga raketat janë në gatishmëri, në përgatitje të një prove të mundëshme nga Koreja e Veriut me një raketë me rreze të gjatë veprimi, me aftësinë për të goditur brigjet perëndimore të Shteteve të Bashkuara.

Kryeministri i Koresë të Jugut, Han Seung-Soo u tha ligjvënësve sot se vendi po ndjek nga afër lëvizjet e Koresë së Veriut dhe do të jetë gati për të përballuar çdo situatë të mundëshme.

Një gazetë koreano-jugore njoftoi sot se Pheniani po monton raketën Taepodong-2 në një pistë lëshimi në brigjet lindore të Koresë së Veriut.

Artikulli i botuar në numrin e sotëm citon burime, sipas të cilave raketa mund të lëshohet nga fundi i muajit që përkon me përvjetorin e inaugurimit të presidentit koreano-jugor Lee Myung-bak.

Gjendja acarohet, ndërkohë që Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Klinton, përgatitet për të vizituar rajonin.

Ky është udhëtimi i parë i zonjës Klinton jashtë kontinentit si kryediplomate e Shteteve të Bashkuara. Ajo do të vizitojë Japoninë, Indonezinë, Korenë e Jugut dhe Kinën. Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit, James Steinberg, tha dje se zonja Klinton do të diskutojë mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut.//mm//

XS
SM
MD
LG