Lidhje

Ministrat e financave nga vendet e G-7 takohen në Romë

  • Barri Ud

Ndërsa ministrat e financave të fuqive kryesore ekonomike u takuan dje në Romë, ata përsëritën thirrjet për një përgjigje të fuqishme dhe të bashkërenduar në përpjekjet për të luftuar krizën ekonomike dhe financiare, e cila ende vazhdon të shtohet, në vende të ndryshme të botës. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Barri Ud, njofton:

Takimi dy ditor mbahet në kushtet e keqësimit të gjendjes së ekonomisë globale. Ministri britanik i Financave, Alistair Darling, tha se kriza e tanishme është më e thella në disa gjenerata. Sekretari amerikan i Thesarit, Timothi Gajthner po u kërkon qeverive të vendeve të tjera që të ndërmarrin hapa të jashtëzakonshëm për të luftuar thellimin e krizës ekonomike. Zoti Gajthner po ashtu po bën përpjekje që plani të tij të miratohet. Ky plan parasheh një bashkëpunim mes institucioneve publike dhe atyre private, për blerjen e borxheve të këqija nga institucionet financiare me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Vendet e G-7-së përfshijnë Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë, Kanadanë, Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë. Rusia, së bashku me udhëheqësit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore marrin pjesë në disa nga seancat e këtij takimi.
Fred Bergstein i Institutit Peterson të Ekonomisë Ndërkombëtare në Uashington, thotë se takimi duhet të rezultojë në një plan të bashkërenduar për stimulimin e ekonomisë.

“Do të ketë përpjekje për të nxitur plane për stimulimin e kërkesës së brendshme në të gjitha vendet kryesore, të cilat ende nuk kanë ndërrmarrë hapa të tillë. Shtetet e Bashkuara së shpejti do të fillojnë me zbatimin e një programi madhor për stimulimin e ekonomisë, po ashtu Kina ka njoftuar për një plan të ngjashëm. Unë do të argumentoja se Europa ka ngelur prapa.”

Ish kryeministri italian, Xhuliano Amato, duke folur në një konferencë në Uashington, tha se për të qenë të sigurtë që kriza të mos keqësohet më shumë, fuqitë e mëdha duhet të shmangin politikat proteksioniste.

“Masat proteksioniste mund të shkatërrojnë tërësisht potencialin, edhe pse me përmasa të vogla, të disa vendeve në zhvillim ose atyre më pak të zhvilluara. Në se këto masa do të shmangeshin, atëherë ky do të ishte sipas meje rezultati më i shkëlqyeshëm nga takimi i Romës”

Zoti Amato tha se kriza ekonomike ndodhi si pasojë e rritjes së çekuilibrit tregëtar, veçanërisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, dhe pranisë së madhe të parave të fituara në saje të krahut të lirë të punës, të cilat nxitën ngritjen e çmimeve të shtëpive në Shtetet e Bashkuara dhe në disa vende të Evropës.

Takimi i vendeve të G-7 do të përcaktojë rendin e ditës për takimin e udhëheqësve nga 20 vendet më të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, i cili pritet të mbahet në fillim të prillit në Londër.//ap

XS
SM
MD
LG