Lidhje

Ministrat e G7 zotohen  të shmangin masat proteksioniste


Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës deklaroi se do të bashkëpunojë për rigjallërimin e ekonomisë globale, pa prekur tregtinë e lirë. Një deklaratë e përbashkët e G7-ës e publikuar në Romë thekson se stabilizimi i ekonomisë botërore dhe i tregjeve financiare do të ketë prioritetin më të lartë. Shefat e financave dhe të bankave qendrore të G7-ës deklaruan se do të përdorin të gjitha mjetet politike për të mbështetur rritjen e ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe forcimin e sektorit financiar. Grupi ritheksoi gjithashtu vendosmërinë për të shmangur masat proteksioniste që synojnë fuqizimin e ekonomive kombëtare, duke theksuar se politika të tilla vetëm sa e rëndojnë krizën ekonomike. Por parashikimet për ekonominë për këtë vit tregojnë se ekonomia evropiane nuk duket se do të dalë nga recesioni së shpejti.

Takimi në Romë i ministrave të financës të vendeve më të industrializuara, të ashtuquajturat vende të Grupit të 7-ëshes, u mbajt ndërsa bota po përjeton rënien më të madhe ekonomike në disa dekada.

Ndërsa kriza pritet të vazhdojë gjatë vitit 2009, ministrat e financës dënuan me forcë masat portekstoniste për fuqizimin e ekonomive kombëtare të vendeve të ndryshme, duke thënë se ato do të dëmtonin rimëkëmbjen ekonomike globale. Po ashtu, ata theksuan nevojën për mbështetjen e vendeve të zhvillim, për të mos lejuar që të varfërit e botës të jenë shtresa që do ta vuajë më tepër krizën.

Takimi këtë vit u shënua me pjesëmarrjen e Sekretarit amerikan të Thesarit, Timothi Gajtner, i cili shkoi në Romë ndërkohë që Kongresi miratoi të premten në mbrëmje paketën e stimujve me vlerën e 787 miliardë dollarëve për rigjallërimin e ekonomisë amerikane në krizë. Plani kërkon që projektet publike të infrastrukturës të përdorin çelikun e prodhuar në Amerikë, si dhe mallra të tjera, sipas motos “Buy America”, “Blini mallra të prodhuara në Amerikë”. Kjo i shqetëson disa nga partnerët e Grupit të 7-ëshes, të cilët bënë thirrje për zhvillimin e tregtisë së lirë.

Zoti Gajtner foli në takim për këto shqeëtësime, duke thënë se të gjitha vendet duhet ta ruajnë përkushtimin ndaj tregtisë dhe politikave të lira të investimit, të cilat janë të nevojshme për rritjen dhe begatinë ekonomike.

Ministri italian i Financave, Xhulio Tremonti, i cili organizoi takimin në Romë tha se i ashtuquajturi “deficit i besimit” dhe “deficiti i rregullave” kanë qenë kontribuesit kryesorë të krizës financiare globale.

Guvernatori i Bankës italiane, Mario Dragi, tha në një konferencë shtypi dje, në fund të takimit dy ditësh, se Grupi i 7-ëshes duhet ta trajtojë siç duhet krizën në përmasat aktuale.

“Në SHBA kemi parë që lehtësimi cilësor ka rezultat dhe me këtë nënkuptoj ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në segmente specifike të industrisë së shërbimit financiar”, - tha ai.

Ministrat e miratuan qëndrimin e SHBA-së dhe Britanisë për përmirësimin e punës së bankave përmes rikapitalizimit të tyre.

Vendet e Grupit të 7-ëshes i bënë thirrje Kinës ta lejojë monedhën e vendit të rritet në vlerë, për të përballuar çekuilibrin masiv të tregtisë botërore.

Rekomandimet e takimit të Grupti të 7-ëshes, ku morën pjesë ministrat nga Britania, Kandaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe SHBA, pritet të ndikojnë në takimin e grupit të 20-ëshes në Londër, më 2 prill.//lk

XS
SM
MD
LG