Lidhje

Presidentët Obama dhe Linkoln, nën vështrimin e analistëve


Presidenti Obama shpesh ka thënë se njëri nga heronjtë e tij është presidenti i 16-të amerikan, Abraham Linkoln. Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Sindi Saine, i hedh një vështim jetës së dy ish avokatëve dhe senatorve nga shteti Ilinoi, të cilët u ngritën nga një fillim i thjeshtë deri në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Obama nuk e ka mbajtur të fshehtë admirimin e tij për Abraham Linkonlin, duke përmendur shpesh emrin dhe kujtimet e tij. Zoti Obama e bëri të njohur kandidaturën e tij para dy vjetësh në Kongresin e Vjetër në Springfield, Illinoi, në të njejtin vend ku zoti Linkoln mbajti fjalimin e tij të famshëm “Shtëpia e Ndarë.”

Kur zoti Obama bëri betimin si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara muajin e kaluar, ai e vuri dorën mbi biblën, që përdori edhe Abraham Linkolni kur ai bëri të njëjtin betim si president.

Të mërkurën, zoti Obama morri pjesë në një shfaqje në teatrit Ford në Uashington, pikërisht aty ku u vra presidenti Linkoln në vitin 1865. Ai u tha të pranishmëve se presidenti Linkoln, në mes të luftës civile, këmbënguli për përfundimin ndërtimit të Kongresit amerikan si simbol uniteti.

“Ndenja e bashkimit është pjesë e trashëgimisë së Presidentit Linkoln. Megjithë gjërat që na ndanë, veriu dhe jugu, të bardhët dhe zezakët, ai kishte një besim të patundur se ne ishim në zemrat tona një kombë dhe një popull”.

Historiania e njohur e presidentëve, Doris Kearns Goodwin thotë se presidenti Obama ndien një lidhje të vertetë me Abraham Linkonlin.

“Duket se egzistonë një lidhje e tillë, sigurisht në zemrën dhe mendjen e zotit Obama, mes këshilltarit që ai beson se është Linkolni dhe natyrisht që nuk mund të gjesh një këshilltar më të mirë”.

Ish Senatori Xhorxh MeGovern, i cili po ashtu është historian, është dakord se ngjashmëritë mes këtyre dy burrave janë më të mëdha se sa thjeshtë fakti që të dy janë burra të gjatë, të hollë dhe senatorë të shtetit Ilinoi me një prejardhje të thjeshtë.

“Unë mendoj se që të dy, Abraham Linkoln dhe Barak Obama, kanë një ego të madhe dhe kjo nuk është kritikë, por një tipar i nevojshëm për cilindo që kandidon për president”.

Zoti MeGovern ishte kandidat i partisë demokrate në zgjedhjet presidenciale të vitit 1972, por ai humbi dukshëm në ato zgjedhje kundër ish presidentit Riçard Nikson. Ai tha se si për zotin Linkoln edhe zotin Obama egoja e tyre e madhe është e kombinuar me thjeshtësinë, dhe që të dy kanë shumë tipare të tjera të përbashkëta.

“Të dy burrat janë njerëz me karakter të fortë, me intelekt të mprehtë, dhe ambicie për të pasur sukses”.

Historianët thonë se zoti Linkoln vuajti nga ajo që sot njihet si depresion i rëndë. Zoti MeGovern thotë se trishtimi i thellë i zotit Linkoln është diçka që zoti Obama nuk duket se e ka, por presidenti i tanishëm duket se gëzon aftësinë për të qenë i qetë në kohë të vështira.

Historianja Goodwin thotë se fuqia e madhe e brendshme e Abraham Linkolnit e ndihmoi atë të mbajë vendin të bashkuar në kohërat më të vështira, gjatë luftës civile.

“Mendoj se në jetën e Linkolnit shohim një njeri të dilte fitimtar herë pas here ndaj kundërshtarëve të tij”.

Në librin e saj me titull ‘Ekipi i Rivalëve’, zonja Goodwin përshkruan se si Abraham Linkolni vendosi të emëronte në kabinetin e tij të gjithë kundërshtarët kryesor, duke këmbëngulur se vendi kishte nevojë për njerëz të mençur dhe të aftë. Ajo thotë se në këtë aspekt presidenti Obama po vepron si heroi i tij.

“Ai nuk harroi atë që kishte bërë Linkolni kur e rrethoi veten me njerëz të fuqishëm, prandaj ai zgjodhi Hillari Klintonin në postin e Sekretares së Shtetit, Xho Baiden për postin e nënpPresidentit, dhe tre republikanë në rrethin e tij kryesor”.

Disa analistë dhe historianë paralajmërojnë se është herët për të bërë krahasime mes zotit Linkoln dhe presidentit Obama pasi ky i fundit ka më pak se një muaj në Shtëpinë e Bardhë dhe se ka kohë për të provuar aftësitë e tij udhëheqëse. Por Xhorxh MeGovern thotë se ai beson se Abraham Linkoln do të gëzohej shumë po të kishte pasur rastin të shikonte zotin Obama në Shtëpin e Bardhë.

“Edhe pse Linkolni ishte republikan dhe Barak Obama është demokratë, nuk kam dyshim se për cilin kandidat do të kishte votuar Linkolni në zgjedhjet e vitit 2008. Unë mendoj se ai do të gëzohej jashtë mase në se do të kishte mundësi të shikonte që një njeri me ngjyrë mban zyrën më të lartë të vendit. Për këtë nuk kam asnjë dyshim”.

Presidenti Obama nderoi Linkolnin në Kongresin amerikan duke thënë se ai ndien mirënjohje të veçantë për njeriun që, në shumë mënyra, bëri të mundur jetën e tij. Presidenti Linkoln nënshkroi ligjin për çlirimin e skllevërve në shtetet e jugut, të cilat nuk e pranonin autoritetin e tij si president. Kjo lëvizje më pas çoi drejt zhdukjes së skllavërisë në Shtetet e Bashkuara. //mm//

XS
SM
MD
LG