Lidhje

Mendimet e ekspertëve mbi planin për stimulimin e ekonomisë


Presidenti Barak Obama shënoi fitorën e tij të parë dhe kryesore politike me miratimin e planit për stimulimin e ekonomisë me vlerë prej 787 miliardë dollarësh, të cilën ai do ta nënshkruajë në ligj këtë javë. Ndonëse shumë ekonomistë janë dakord se plani për stimulimin e ekonomisë ishte i nevojshëm për të ndihmuar ekonominë në vështirësi, disa prej tyre thonë se përmasat e paketës mund të mos jenë të mjaftueshme.

Ekipi ekonomik i presidentit Obama thotë se plani për stimulimin e ekonomisë do të duhet të krijojë, ose ruajë rreth 4 milionë vende pune. Por, kryeekonomisti i shoqatës hulumtuese Moody për Ekonominë, Mark Zandi, vlerëson se plani për stimulimin e ekonomisë do të krijojë afërsisht 2,2 milion vende pune deri në vitin 2010, duke e lënë nivelin e papunësisë të luhatet përafërsisht me 10 përqind.

Zoti Zandi, duke folur në programin televiziv të lajmeve “Fox News Sunday” tha se plani i stimulimit të ekonomisë është një ide e mirë, por se ai nuk ka përmasat e mjaftueshme për zgjidhjen e problemit.

“Plani është i arsyeshëm por unë mendoj jo i mjaftueshëm sa duhet, pasi ekonomia gjendet në një situatë shumë të vështirë. Këto vështirësi kërkojnë një plan të përmasave më të mëdha dhe unë mendoj se vitin e ardhshëm ne prapë do të flasim për një plan tjetër për stimulimin e ekonomisë”.

Këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, David Axelrod, gjatë një interviste në televizionin NBC, e pranoi se ka mendime të ndryshme mes ekonomistëve, por ai tha se beson se numrat e tyre janë të saktë.

“Në mendojmë se plani për stimulimin e ekonomisë do të ketë ndikim për krijimin e shumë vendeve të punës dhe se fundi do të jetë i frytshëm, pasi do të rimëkëmbë eknominë dhe do të ndihmojë në ndalimin e recesionit të tanishëm. Ishte interesante të dëgjoje njerëzit gjatë bisedimeve për këtë plan, ku disa thonin se ky plan është i vogël, ndërsa të tjerë thonin se ai ka përmasa tepër të mëdha. Ne besojmë se është i madhësisë që duhet të jetë dhe ne dëshirojmë të ecim përpara”.

Përveç papunësisë, administrata e zotit Obama do të ballafaqohet me një krizë më të madhe ekonomike, ndërsa shumë pronarë shtëpie ballafaqohen me humbjen e pronave të tyre dhe bankat janë të ngarkuara me hua të këqija, ato të cilat nuk janë në gjendje, apo nuk dëshirojnë të japin kredi. Sekretari i Thesarit, Timothi Gajthner, e bëri publik planin e tij me vlerën prej 1 trilionë dollarësh të martën e kaluar, i cili parasheh se si qeveria do të veprojë për të blerë ato hua të këqija nga bankat dhe për t’i injektuar ato si kapital. Wall Street-i reagoi negativisht ndaj këtij njoftimi dhe shumë investitorë thanë se këtij plani i mungonin hollësitë.

Menaxheri kryesor i kompanisë Google, Erik Schmidt, thotë se qeveria duhet të trajtojë çështjen e ngrirjes së tregjeve të kredive dhe të rritjes së numrit të falimentimeve, më mirë sa më parë, se sa kur të bëhet vonë.

“Bizneset dëshirojnë që qeveria të veprojë tani. Konsumatorët nuk po ndjehen të qetë; njerëzit janë të shqetësuar për vendet e tyre të punës. Në një mënyre, qeverisë i duhet të përmirësojë çështjen e falimentimeve, po ashtu edhe të problemit të kredive, pasi qeveria duhet të veprojë si financuese në pikën më të fundit, në mënyrë që tregjet e kredive të normalizohen. Për mendimin tim, njerëzit nuk kanë mundësi të kthehen në vendet e tyre të punës; ata nuk mund të blejnë, pa patur mundësi të marrin hua. Këto çështje duhet të jenë në krye të rendit të ditës gjatë javëve të ardhshme. Le të shpresojmë se kjo do të realizohet”.

Zoti Schmidt dhe zoti Zandi thonë se në se administrata është në gjendje të japë hollësi rreth mënyrës se si do t’i vlerësojnë huatë e këqija, atëherë tregjet e kredive mund të fitojnë besimin dhe do të normalizohen.//ap

XS
SM
MD
LG