Lidhje

Klinton thekson rëndësinë e marrëdhënieve amerikano-japoneze


Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton mbërriti sot në Japoni ndalesa e parë të turit të saj aziatik. Duke folur gjatë një ceremonie në Aeroportin e Tokios ajo vlerësoi rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe tha se vizita e saj tregon rëndësinë që Uashingtoni i jep vendeve të Azi-Paqësorit. Zonja Klinton do të takohet nesër me udhëheqës japonezë dhe më pas ka në plan të zhvillojë takime në Kinë, Korenë e Jugut dhe në Indonezi. Por vizita e zonjës Klinton ndodh në një moment delikat kur Koreja e Veriut dyshohet se po përgatitet për hedhjen e një rakete dhe kur ekonomia japoneze pësoi tkurrje për të katërtin tremujor rresht.

Vizita e sekretares Klinton në Japoni vjen në një moment kur Tokio ka njoftuar se ekonomia japoneze, më e madhja ne kontinentin aziatik, u tkurr me 3 % muajin e kaluar ndërsa eksportet dhe prodhimet e fabrikave pësuan rënie.

Rreth 50 vetë u mblodhën jashtë ambasadës amerikane në Tokio në shenjë proteste ndaj vizitës së kryediplomates amerikane dhe kundër pranisë së trupave amerikane në Japoni.

Në Tokio, zonja Klinton po kështu pritet të sigurojë japonezët mbi rëndësinë që kanë marëdhëniet dypalëshe për Shtetet e Bashkuara dhe do të nënshkruajë një marrëveshje për transferimin e 8000 marinsave nga ishulli i Okinavës për në territorin e Guamit.

“Jam këtu për t’ju sjellë mesazhin se marrëdhëniet amerikane me vendet e Paqësorit janë tepër të rëndëshme për të zgjidhur sfidat e shekullit të 21-të. Aleanca amerikane japoneze është shumë e rëndësishme dhe ne kemi interesa të përbashkëta sigurie dhe duhet të bashkëpunojmë për t’u përballur me sfidën globale financiare”.

Por vetëm pak orë pasi zonja Klinton nisi turin e saj të parë zyrtar jashtë shtetit, agjencia e lajmeve koreano-veriore bëri të ditur se vendi po përgatitet për hedhjen e një rakete. Sipas zyrtarëve koreano-jugorë dhe atyre amerikanë, Pheniani po përgatitet të testojë raketën me rreze të gjatë Taepodong-2.

Zonja Klinton e ka quajtur programin bërthamor koreano-verior si sfidë kryesore. Ajo ka thënë se presidenti Obama është i vendosur të vazhdojë bisedimet gjashtë-palëshe dhe se udhëtimi i saj ka për qëllim ta çojë përpara këtë proçes.

Javën e kaluar zonja Klinton theksoi në një fjalim se Pheniani duhet të heqë dorë nga, siç i quajti ajo, veprime provokuese dhe deklarata jokonstruktive.

Gjatë qëndrimit në Japoni, Sekretarja pritet të takohet me familjarët e shtetasve japonezë që janë rrëmbyer nga Koreja e Veriut. Pheniani ka pranuar se ka rrëmbyer 13 japonezë mes viteve 1970 dhe 1980 që t’i stërviste si spiunë.

Koreja e Veriut thotë se ka lejuar që pesë nga ata të kthehen në Japoni ndërsa të tjerët kanë vdekur. Por Japonia nga ana e saj thotë se Koreja e Veriut ka rrëmbyer më shumë japonezë dhe ka informacione mbi vendndodhjen e tyre.

Ndryshe nga sekretarët e mëparshëm të shtetit, të cilët kanë zgjedhur Evropën ose Lindjen e Mesme për vizitën e tyre të parë zyrtare jashtë shtetit, zonja Klinton ka vendosur të vizitojë Azinë ku ajo shpreson të sinjalizojë se Amerika ka nevojë për partnerë të fortë në Oqeanin Paqësor. //ek

XS
SM
MD
LG