Lidhje

Qosja: Ndërtimi i shtetit është proces i gjatë


Akademiku Rexhep Qosja thotë në një bisedë për Zërin e Amerikës se Kosova ka mjaft sfida para vetes në përvjetorin e parë të pavarësisë, por tërheq vërejtjen se ndërtimi i shtetit është një proces i gjatë. Ai i tha korrespondenti tonë në Prishtinë se njohja e Kosovës nga 54 vende të botës është njohje cilësore, meqë këtë e kanë bërë vendet më të rëndësishme të botës.

Akademik Rexhep Qosja i tha Zërit të Amerikës se shpallja e pavarësisë së Kosovës një vit më parë ishte ngjarja e dytë më e madhe brenda një periudhe 100 vjeçare në historinë e popullit shqiptarë. Në përvjetorin e parë të pavarësisë së Kosovës, zoti Qosja thotë se vendi ka mjaft sfida para vetes, por ndërtimi i shtetit është një proces.

“28 nëntori 1912 dhe 17 shkurti i vitit 2008 janë dy datat më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Më 28 nëntor 1912 është bërë Shqipëria shtet, më 17 shkurt 2008 është bërë Kosova shtet. Qe një vit ne e kalojmë në gëzime që më në fund pas një shekulli, Kosova arriti të bëhet shtet dhe një padrejtësi e madhe që fuqitë e mëdha dhe fqinjët Ballkanik i kanë bërë popullit shqiptar më 1912, pjesërisht mund të themi se u ndreq. Një vit ka kaluar me përpjekje për ndërtimin institucional të shtetit të Kosovës dhe qëndrueshmërinë e këtij shteti. Janë bërë përpjekje dhe natyrisht vazhdojnë të bëhen përpjekje. Shteti nuk ndërtohet lehtë dhe shteti është një proces. Gjithnjë vazhdon ndërtimi, përmirësimi, rregullimi dhe si ta them, përsosja sa më e madhe e shtetit për të kryer sa më mirë detyrat ndaj qytetarëve të tij”.

Zoti Qosja tërheq vëmendjen se ndërtimi i diplomacisë është proces më I gjatë, por sipas tij njohjet e deritashme të pavarësisë së Kosovës janë mjaft cilësore.

“Ne po dëgjojmë shumë pakënaqësi lidhur me njohjen diplomatike të Kosovës. Sipas mendimit tim, s’kemi shumë arsye të jemi ashtu të pakënaqur. Kosovën e kanë njohur vendet më cilësore në botë. Më cilësore me nderimin e tyre politik, shoqëror dhe demokratik. Dhe më cilësore për nga zhvillimi i tyre i përgjithshëm ekonomik e shoqëror. Dhe këto vende janë vendet me ndikimin më të madh në politikën botërore. Procesi i njohjes do të vazhdojë dhe ne do vazhdojmë përpjekjet për njohje të plotë. d.m.th. të një numri sa më të madh të vendeve. Kjo do arrihet. Sigurisht që edhe Ministria e Punëve të jashtme duhet të shikojë që të ketë njerëzit më përkatës dhe të shikojë, jo njerëzit më afër zemrës, por njerëzit me autoritetin më të madhe dhe me mundësitë më të mëdha” .

Zoti Qosja thotë se idealet dhe realiteti kanë ndryshime, meqë ideali është më i bukur se realiteti. Kosova përballet me sfida siç është çështja e veriut të vendit që është një problem që mund të zgjasë. Ai numëron papunësinë, varfërinë, krimin e organizuar e korrupsionin dhe gjendjen në shëndetësinë e vendit si sfida të mëdha me të cilat po përballet shteti i ri. Zoti Qosja tërheq vërejtjen se institucionet e vendit duhet të bëhen të qëndrueshme dhe të mbledhin njerëzit më të përgatitur për tu përballur me sfidat që ndodhen para tyre.

“E vërteta në jetën tonë, ende zotërojnë disa, mos t’i quaj kritere, por disa përkatësi, disa privilegje, disa anime që dëmtojnë pajisjen, ndërtimin e këtyre institucioneve me njerëzit më përkatës. Është e nevojshme pra që njerëzit e duhur të jenë në vendin e duhur dhe të bashkërenditen forcat për të zgjidhur problemet e popullit, problemet e shoqërisë. e siç thamë, Kosova përballet me një numër sfidash. Natyrisht se ato nuk mund të zgjidhen shpejt dhe menjëherë. Por, populli duhet ta shohë se po bëhen përpjekje, përpjekjet më të mëdha për t’u zotëruar ato probleme dhe për t’u plotësuar dëshirat, nevojat e popullit, aq sa është e mundshme në kushtet e sotme. Nuk është Kosova që nuk ka potenciale njerëzore. Ka. Por, ato potenciale njerëzore duhet të përzgjidhen pa nepotizëm, pa familjarizim, pa lidhje të tjera, pa mbizotërim të logjikës partiake në ndërtimin institucional të Kosovës dhe pajisjes së tyre me njerëz, me ekspertë”...

XS
SM
MD
LG