Lidhje

Mbipesha dhe kanceri. Mbarëvajtja në shkollë. Migrena lidhet me çrregullimet mendore.


Mbipesha trupore dhe kanceri

Shkencëtarët thonë se mbipesha trupore tek gratë shton rrezikun e prekjes nga kanceri në vezore. Gjatë një studimi, mjekët vëzhguan për 7 vjet gjendjen e 90 mijë grave dhe zbuluan se gratë mbi peshë ishin 80 përqind më në rrezik për t’u prekur nga kanceri në vezore. Megjithatë, ata vunë re se vetëm disa gra dukej se ndodheshin në rrezik më të madh.

Çdo vit, në Shtetet e Bashkuara, 20 mijë gra diagnostikohen me kancer në vezore. Këto të dhëna janë shqetësuese, po të kihet parasysh se nga gratë e prekura me këtë lloj kanceri, vetëm 37 përqind e tyre mund të jetojnë të paktën për 5 vjet. Studimi i ri lë të kuptohet se gratë mund t’i pakësojnë gjasat për t’u prekur nga kanceri në vezore duke mbajtur një peshë trupore të shëndetëshme. Mjekët vëzhguan për 7 vjet 84 mijë gra të moshave të ndryshme. Ata vunë re se gratë mbi peshë kishin 80 përqind më shumë gjasa për të zhvilluar kancer në vezore. Por lidhja midis mbipeshës dhe këtij kanceri u pa vetëm tek ato gra që nuk kishin ndonjë histori familjare të kësaj sëmundjeje ose që nuk i ishin nënshtruar trajtimit me hormone pas menopauzës.

Shkencëtarët spekullojnë se mbi pesha e madhe trupore ndikon vetëm tek ato gra, të cilat pa këtë mbipeshë, do të kishin qënë më pak në rrezik për t’u prekur nga kanceri në vezore. Sipas ekspertëve, pesha e tepërt nxit shtimin e prodhimit të estrogjenit, i cili nga ana e tij shton gjasat për sëmundje që lidhen me hormonet, përfshi kanceret në gji dhe vezore. Ekspertët rekomandojnë që gratë duhet të mbajnë një dietë të lehtë dhe të kryejnë ushtrime fizike disa herë në javë për të mos lejuar shtimin e tepërt të peshës trupore, veçanërisht pas moshës mesatare.

Mbarëvajtja në shkollë ndikon mirëqënien në të ardhmen

Sipas një studimi 40 vjeçar, të rinjtë që shkelin disiplinën në shkollë kanë më shumë gjasa që të provojnë një sërë problemesh kur të rriten. Ata nxënës për të cilët mësuesit thonin se ishin sjellë keq në shkollë kishin më shumë gjasa që kur rriteshin prekeshin nga depresioni e ankthi, divorci, si dhe ndesheshin me vështirësi financiare.

Shumë fëmijë thyejnë dispilinën në shkollë njëherë a një tjetër, por sjellja e keqe e vazhdueshme mund të jetë shenjë e problemeve për te ardhmen e tyre. Ekspertë britanikë vëzhguan për 40 vjet më shumë se 3 mijë e 500 të rinj shkolle duke i pyetur ata çdo muaj rreth shëndetit, gjendjes emocionale dhe ngjarjeve të jetës. Në fillim të studimit mësuesit i kishin pajisur ekspertët me notat a vlerësimet e sjelljes së këtyre fëmijëve, përfshi numrin e mungesave, sa herë nuk kishin ndjekur udhëzimet e mësuesve dhe sa herë u ishte tërhequr vrejtja për mosvemendje në mësim. Rezultatet treguan se nxënësit që kishin shkelur disiplinën vazhdimisht kishin 30 përqind më shumë të ngjarë të prekeshin nga depresioni kur të rriteshin. Ata gjithashtu kishin 70 përqind më shumë gjasa që të divorcoheshin dhe 100 përqind më shumë të ngjarë që të ndesheshin me probleme financiare.

Ekspertët thonë se një faktor ndikues për këto mund të jetë se të rinjtë me probleme kishin 4 herë më shumë gjasa për të braktisur shkollën duke i bërë ata të ndesheshin me vështirësi për të gjetur punë të kualifikuar me paga më të mira. Në përfundim të studimit, thuhet se ndihma që këta të rinj të kontrollojnë emocionet e të sillen mirë në shkollë, do të përmirësonte dukshëm shanset e tyre për sukses kur të rriteshin. Rezultatet e studimit u botuan në revistën mjekësore britanike.

Migrena lidhet me çrregullimet mendore

Një studim i ri tregon se dhimbjet e kokës nga migrena dhe sëmundjet mendore ndonjëherë shkojnë krah për krah. Mjekët morën në shqyrtim mbi 600 persona me migrenë dhe panë se ata ndodheshin në një shkallë më të lartë rreziku për t’u prekur nga një sërë çregullimesh mendore, përfshi depresion, sulme paniku dhe fobia apo frika.Kokëdhimbjet nga migrena janë të zanonëshme. Një në çdo 10 persona vuan prej tyre. Por studimi i ri lë të kuptohet se migrena gjithashtu mund të ketë lidhje me çrregullimet e shëndetit mendor.

Një studim ku u përfshinë mbi 4 mijë persona arriti në përfundimin se ata që vuanin nga migrena kishin dy herë më shumë gjasa të prekeshin nga një çrregullim mendor. Për shembull, ata që vuajnë nga migrena kishin 2 herë më shumë të ngjarë të prekeshin nga depresioni, 3 herë më shumë gjasa të prekeshin nga çrregullimi bipolar dhe 4 herë më shumë gjasa të provonin agorofobinë ose frikën për t’u larguar nga shtëpia.

Në shumë raste, pacientët kishin dhimbje koke para se të shfaqnin probleme mendore, çka lë të kuptohet se migrena mund të jetë shenjë e afrimit të çrregullimit mendor.

Shkencëtarët mendojnë se jonormalitete në kimikatet e trurit mund të bëhen shkak për dhimbjet e kokës dhe çrregullim psikiatrik. Ata gjithashtu thonë se depresioni e ankthi dhe jo kokëdhimbja, mund të jenë shkaktarët kryesorë të vështirësive të përditëshme të atyre që vuajnë nga migrena. Mjekët thonë se trajtimi njëkohësisht i migrenës dhe problemeve të shëndetit mendor do të përmirësonte jetën e pacientëve që vuajnë nga kombinimi i këtyre problemeve.

XS
SM
MD
LG