Lidhje

Shteti ligjor kusht për integrimin e plotë të Shqipërisë në Evropë


Në muajin prill Shqipëria pritet të anëtarësohet në Nato. Anëtarësimi në aleancën euro-atlantike ka qënë një nga synimet kryesore të politikës së jashtme të Shqipërisë. Por megjithë përparimet që çuan në anëtarësimin në NATO, Shqipëria ende ndeshet me sfida të mëdha, siç është korrupsioni apo reformimi i sistemit të drejtësisë. Xhejms Dobins, Drejtor i Qendrës për Sigurimin Ndërkombëtar dhe Politikat e Mbrojtjes në korporatën RAND, thotë se është me rëndësi që Shqipëria të analizojë se si janë zgjidhur çështje të ngjashme në vende të tjera të Evropës, të nxjerrë konkluzionet e saj nga këto përvoja dhe t’i zbatojë ato në kushtet e saj. Kolegia Isabela Çoçoli bisedoi me zotin Dobins dhe përgatiti materialin.

Vendet anëtare të NATO-s përfunduan procesin e ratifikimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior, me votimin mbrëmë në Parlamentin e Greqisë.

Xhejms Dobins, Drejtor i Qendrës për Sigurimin Ndërkombëtar dhe Politikat e Mbrojtjes në korporatën RAND, thotë se kjo megjithëse një ngjarje e pritëshme, shënon një sukses shumë të madh për Shqipërinë, që në më pak se dy dekada më parë doli nga rregjimi më i egër komunist në Evropën Lindor.

“Është me shumë rëndësi të vihet në dukje se sa përpara ka ecur vendi. Në fakt unë shoqëroja Sekreratin e Shtetit, Xhejms Bejkër në vizitën e tij historike në Shqipëri në qershor të vitit 1991, i pari udhëheqës perëndimor që vizitonte vendin në 30-40 vjet. Ky padyshim ishte një rast historik, por nga ana tjetër na dha rastin të shikonin se sa e varfër dhe sa e shtypur kishte qënë Shqipëria”.

Që prej atëhere, thotë zoti Dobins, Shqipëria ka hyrë në rrugën e rindërtimit dhe integrimit në strukturat euro-atlantike. Ajo njihet si pjesëmarrëse e plotë në diplomacinë evropiane, ajo lujati një rol shumë të rëndësishëm gjatë krizës në Kosovë, gjatë të cilës Shtetet e Bashkuara bashkëpunuan ngushtë me Shqipërinë. Megjithëse Shqipëria mbetet ndër vendet më pak të zhvilluara në Evropë, thotë analisti i korporatës RAND, ajo po ecën gradualisht përpara.

Organizatat ndërkombëtare dhe analistë të pavarur thonë se vendi ka probleme serioze, si korrupsioni galopant që përfshin të gjitha stukturat e shoqërisë, madje edhe ato shtetërore, si dhe sistemi gjyqësor që ka nevojë për reforma thelbësore. Shqipëria nuk ka zgjidhur ende çështjen e pronësisë dhe as atë të dosjeve sekrete.

Zoti Dobins thotë se këto janë probleme që duhet patjetër të zgjidhen, ndërkohë që vendi aspiron të hyjë në Bashkimin Evropian. Korrupsioni, thotë ai, është një fenomen që vihet re në re në shumicën e vendeve të rajonit, por në rastin e Shqipërisë është kthyer në një problem tejet serioz.

“Korrupsioni është problem në mbarë Ballkanin, por është ndoshta më akut në Shqipëri. Korrupsioni ka qënë dhe ndoshta ende është problem serioz në Serbi e vende të tejra të rojonit, dhe nuk është një problem ekskluziv për Shqipërinë, por ky është vendi më pak i zhvilluar mes tyre dhe korrupsioni pengon zhvillimin dhe pa asnjë dyshim është pengesë serioze për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, sepse shumë kushte për anëtarësimin në BE kanë më tepër karakter ekonomik, se sa politik apo ushtarak”.

Shteti funksional ligjor kërkon reformimin e të gjithë elementëve të tij, thotë Xhejms Dobins i korporatës RAND, pa i vënë theksin këtij apo atij aspekti. Natyrisht, thotë ai, të gjitha vendet që kanë dalë nga komunizmi kanë probleme të pazgjidhura si e drejta e pronës, çështja e dosjeve sekrete, e të tjera. Është me rëndësi thotë ai, që Shqipëria të analizojë se si janë zgjidhur çështje të ngjashme në vende të tjera të Evropës, të nxjerrë konkluzionet e saj nga këto përvoja dhe t’i zbatojë ato në kushtet e saj, pasi këto janë probleme tejet të rëndësishme që kërkojnë një vemendje të posaçme dhe angazhim serioz. //iç//

XS
SM
MD
LG