Lidhje

Banka Botërore pranon gabimet rreth projektit në Shqipëri


Drejtuesit më të lartë të Bankës Botërore pranuan se janë bërë gabime serioze lidhur me një projekt për zhvillimin e një zone bregdetare në Shqipëri dhe thanë se Banka po lëviz me shpejtësi për të përmirësuar procedurat dhe ndihmuar familjet në fshatin Jalë, shtëpitë e të cilave u prishën gjatë zbatimit të projektit. Ata thanë se Banka nuk mund të lejojë që kjo të ndodhë përsëri.

Zyrtarët e Bankës Botërore thanë se janë bërë gabime serioze në një projekt për zhvillimin e një zone bregdetare në Shqipëri gjatë të cilit një numër familjesh në fshatin Jalë u dëmtuan me prishjen e banesave të tyre.

Në një komunikatë për median, Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick, tha se “që nga menaxhimi i projektit bazë e deri te komunikimet me Bordin dhe me Grupin e Inspektimit, veprimet e Bankës me këtë projekt kanë qenë skandaloze”. “Banka, tha ai, po lëviz me shpejtësi për të forcuar mbikqyrjen, përmirësuar procedurat dhe ndihmuar familjet, shtëpitë e të cilave u prishën. Banka nuk mund të lejojë që kjo të ndodhë përsëri,” tha zoti Zoellick.

Bordi i Bankës shqyrtoi dje një raport dhe plan veprimi pas hetimeve të ndërmarra nga një grup i pavarur inspektimi për projektin në Shqipëri. Hetimi rreth Projektit për Menaxhimin dhe Pastrimin e Integruar të Zonës Bregdetare ishte kërkuar nga familjet që u dëmtuan nga prishja e ndërtesave në Jalë në prill të vitit 2007.

Raporti pranon se u bënë gabime serioze në përgatitjen dhe mbikqyrjen e projektit si dhe në komunikimin me Bordin e Bankës Botërore.

Në bazë të Planit të Veprimit, do të ndërmerren një sërë masash me mbështetjen e Bankës Botërore. Sipas Bankës, ato përfshijnë rishikimin ligjor rast pas rasti të prishjeve të banesave në zonën e projektit, caktimin e një vëzhguesi të pavarur për monitorimin e këtij procesi dhe pagimin e ndihmës juridike për rishikimin e secilit rast për të cilin janë bërë ankesat. Plani parashikon gjithashtu paketa ndihmash për personat e varfër të prekur nga shkatërrimet, duke e llogaritur këtë ndihmë që nga koha kur u prishën shtëpitë.

Bordit të Bankës do t’i raportohet pas tre muajsh lidhur me përparimin e bërë.

Në fillim të vitit 2004, thuhet në komunikatë, qeveria e Shqipërisë i kërkoi Bankës Botërore mbështetje për hartimin e një kornize që do ta lejonte vendin të zhvillonte në mënyrë të qendrueshme zonën e tij bregdetare. Në përgjigje të kësaj, Banka Botërore punoi me autoritetet shqiptare për një projekt i cili synonte mbrojtjen e burimeve bregdetare, përdorimin e tokës me efektivitet, pjesmarrjen e komunitetit dhe përmirësimin e kushteve të mjedisit. Projekti u miratua më 21 qershor 2005.

Duke iu përgjigjur një kërkese të familjeve të Jalës në gusht 2007, një Grup Inspektimi hetoi se sa i ishte përmbajtur Banka Botërore politikave të saj në rastin e këtij projekti dhe nëse banorëve u ishte shkaktuar ndonjë dëm. Grupi e paraqiti raportin e tij më 1 dhjetor 2008. Projekti u pezullua nga Menaxhmenti i Bankës më 9 janar 2009 dhe do të mbetet i pezulluar deri sa të merret një vendim ose për ristrukturimin ose për pezullimin e tij të plotë.

Banka Botërore shprehu dje keqardhje lidhur me gabimet që u bënë gjatë përgatitjes dhe zbatimit të projektit.

Grupi i Inspektimit konstatoi se në Planin për Zhvillimin e Bregdetit Jugor dhe në programin e Qeverisë për prishjet e banesave duhet të ishte zbatuar politika e Bankës për risistemimet jo vullnetare prandaj familjet e Jalës duhet të ishin mbuluar, thuhet në komunikatën e Bankës Botërore.

Duke patur parasysh seriozitetin e gabimeve që lidhen me këtë projekt, zoti Zoellick ka kërkuar që të shqyrtohen edhe veprimet e disa pjestarëve të stafit të Bankës të cilët akuzohen se nuk i kanë treguar të vërtetën Grupit të Inspektimit, thuhet aty.

Ndryshe nga disa lajme të shtypit, thuhet në komunikatën e Bankës Botërore, asnjë zyrtar qeverie, pjestar i Njësisë për Bashkërendimin e Projektit apo pjestar i stafit të Bankës, nuk është nën hetim për korrupsion nga departamenti i Bankës për Integritetin Institucional.

Mandati i Grupit të Inspektimit nuk përfshin hetimet për korrupsion, u shpreh kryetari i këtij grupi, Werner Kiene. //ii

XS
SM
MD
LG