Lidhje

SHBA përshëndesin përparimin e bërë nga Kosova


Shtetet e Bashkuara përshëndetën dje përparimin e bërë drejt forcimit të demokracisë në Kosovë, e cila dje mbushi përvjetorin e parë si shtet i pavarur. Megjithatë, thanë zyrtarët, ata nuk po përpiqen të mbulojnë problemet në Kosovë, e cila ende nuk njihet nga shumë vende.

Shtetet e Bashkuara ishin një forcë kryesore në arritjen e pavarësisë së Kosovës dhe zyrtarët amerikanë po i përshëndesin hapat e bëra nga ky vend i vogël ballkanik në vitin e tij të parë si entitet i veçantë duke pranuar njëkohësisht se ende ka probleme.

Kosova u shkëput nga Serbia në vitin 2008, nëntë vjet pas fushatës ajrore të NATO-s e cila çoi në largimin e trupave të Beogradit nga Kosova.

Kosova e festoi përvjetorin e parë të pavarësisë dje me njerëz të shumtë që manifestuan në Prishtinë duke valvituj flamurë. Por një atmosferë e zymtë mbretëronte në veriun e vendit të banuar nga shumicë serbe, ndërkohë që udhëheqësit në Beograd theksuan refuzimin e tyre për të njohur Kosovën.

Presidenti serb, Boris Tadiç, tha se Serbia kurrë nuk do të ndërmarrë asnjë veprim të vetëm që të nënkuptojë pavarësinë e Kosovës, rreth së cilës ajo ka dërguar ankesë në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Në një konferencë për shtyp në Uashington, zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Gordon Duguid, i uroi kosovarët me rastin e një vjetorit të pavarësisë. Ai tha se Kosova ka ecur me shpejtësi për të forcuar demokracinë, duke përfshirë masat mbrojtëse për të drejtat e pakicave, siç përcaktohej në planin e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtissari.

Zoti Duguid tha se 54 vende, duke përfshirë një shumicë të gjerë vendesh të Bashkimit Europian, NATO-s dhe OSBE-së, e kanë njohur Kosovën. Si Serbia ashtu edhe aleatja e saj kryesore politike nuk e pranojnë pavarësinë ndërkohë që shteti i ri vuan nga papunësia e lartë dhe probleme të krimit.

Megjithatë, zoti Duguid theksoi se Kosova është në rrugën drejt stabilitetit:

"Ekzistojnë probleme historike për të cilat ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë, që shumë prej nesh i kuptojnë. Një shtet nuk ndërtohet për një periudhë të shkurtër kohe. Por nëse e ketheni kokën pas për të parë se ku ishim 10 vjet më parë, mendoj se nuk ka dyshim që Kosova është tani më e qendrueshme dhe është në rrugën e krijimit të demokracisë shumetnike. Megjithatë, probleme mbeten. Askush nuk mund t’i mbulojë dot problemet që ende ekzistojnë,"
tha zëdhënësi.

Zoti Duguid e përshëndeti bashkëpunimin e qeverisë së Kosovës me EULEX-in dhe me agjencitë e tjera ndërkombëtare atje. Ai tha bse komuniteti botëror është i gatshëm të japë mbështetje për shtetin e ri për sa kohë që kjo ndihmë do të kërkohet.

Ai tha se Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton do të presë më 26 shkurt në Departamentin e Shtetit Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi për të riafirmuar premtimin e Shteteve të Bashkuara për miqësi dhe mbështetje ndaj shtetit të ri.

XS
SM
MD
LG