Lidhje

Presidenti i Republikës Çeke kritikon ashpër Bashkimin Evropian


Presidenti i Republikës Çeke, Vaclav Klaus ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian, duke e krahasuar bllokun me 27 anëtarë me diktaturat e ish-Bashkimit Sovjetik.

Komentet e tij sot para Parlamentit Evropian bënë që disa ligjvënës të largoheshin nga salla. Republika Çeke ka aktualisht presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.

Zoti Klaus tha se praktikat e BE-së i kujtojnë atij kohën e komunizmit, kur nuk lejohej opozita politike. Ai shtoi se Bashkimi Evropian nuk ka arritur të gjejë një përgjigje unike për krizën globale ekonomike.

Ai kritikoi në veçanti projekt-traktatin e ri të Bashkimit Evropian që do të krijonte postin e një Presidenti të përhershëm të BE-së, do të zgjeronte kompetencat e Parlamentit Evropian dhe do të kufizonte fuqinë e vetos për vendet anëtare.

Dhoma e ulët e Parlamentit çek e miratoi dje traktatin. Por zoti Klaus, i cili nuk lejon që të ngrihet flamuri i BE-së në Pragë, nuk ka deklaruar se do ta nënshkruajë traktatin, nëse dokumenti miratohet nga senati çek. (ze)

XS
SM
MD
LG