Lidhje

Roli i afrikano-amerikanëve në politikën amerikane


Presidenti demokrat Barak Obama sapo kishte filluar detyrën, kur Partia Republikane e opozitës zgjodhi në postin e kryetarit të saj një afrikano-amerikan, ish zyrtar shtetror. Majkëll Stiëll e mori këtë post në fund të janarit. Dhe ndërsa në Shtetet e Bashkuara shkurti është muaji i historisë së afrikano-amerikanëve, ekspertët po debatojnë nëse zoti Stiëll mund t’i kthejë partisë së tij mbështetjen e votuesve afrikano-amerikanë.

Votuesit afrikano-amerikanë morën pjesë në numra rekord në zgjedhjet presidenciale të 2008-tës.

Një anketë e opinionit arriti në përfundimin se perspektiva e zgjedhjes së një presidenti afrikano-amerikan ngjalli entuziazëm. 95 për qind e amerikanëve me ngjyrë votuan për Presidentin Barak Obama.

David Bositis i qendrës së përbashkët për studimet politike dhe ekonomike analizoi anketat e kryera me zgjedhësit, që dilnin nga qendrat e votimit.

“Pjesmarrja e afrikano-amerikanëve ishte rekord”.

Zgjedhjet e 2008-s vendosën rekorde: nga mbi 16 milionë votues afrikano-amerikanë, mbi 66 për qind e tyre votuan.

Edhe në kulmin e lëvizjes për të drejtat civile, këto shifra ishin më të ulëta.

Drejtori i departamentit për shkencat politike në Universitetin Howard, Darrel Harris, ndjek prirje të tilla.

“Nuk mund të them se do të vazhdojmë të shohim këtë lloj entuziazmi. Zoti Obama është i pari dhe në shumicën e gjërave, zhvillimet e para janë të rëndësishme”.

Tani kemi një tjetër risi nga Partia Republikane, e cila zgjodhi në krye të saj një afrikano-amerikan, ish zv. guvernorin e Merilandit, Majkëll Stiëll, i cili premton një drejtim të ri.

“Ka ardhur koha për diçka krejt ndryshe. Dhe ne do ta bëjmë këtë realitet”.
Këtë muaj, ndërsa Amerika feston 200 vjetorin e lindjes së Abraham Linkolnit, i cili çliroi skllevërit, afrikano-amerikanët janë në krye të dy partive më të mëdha të vendit.

Strategu republikan, Tom Feheri, thotë se presidenti Linkoln do të kishte mbetur i kënaqur që njerëzit mund të gjykohen jo nga pamja, por nga aftësitë e tyre.

Në zgjedhjet e nëntorit, kandidati presidencial republikan, Xhon Mekein, fitoi vetëm 4 për qind të votave të afrikano-amerikanëve.

Më 2006 zoti Stiëll kandidoi për vendin në senatin amerikan të shtetit Meriland.

Ai fitoi 25 për qind të votave të zezakëve, prandaj disa zyrtarë të lartë republikanë thonë se zoti Stiëll mund të ndihmojë që mesazhi i partisë republikane të tërheqë më shumë afrikano-amerikanë.

Zoti Mekein fitoi vetëm shtetet në jug dhe në perëndim, ku konservatorët fetarë mbizotërojnë në disa shtete.

Anketat e opinionit me zgjedhësit, që dilnin nga qendrat e votimit, treguan se 75 për qind e evangjelistëve të bardhë votuan për zotin Mekein, votues që zakonisht janë kundër abortit dhe të drejtave për homoseksualët, por shpesh shprehin antipati ndaj qeverisë.

Në kishat afrikano-amerikane, priftërinjtë predikojnë ide të ngjashme konservatore.

Por afrikano-amerikanët, si grup, janë më të varfër se sa të bardhët. Sipas statistikave, gati 25 për qind e afrikano-amerikanëve jetojnë nën nivelin e varfërisë, ndërsa mes të bardhëve kjo statistikë është nën 10 për qind.

Prandaj profesori Harris thotë se ndryshe nga republikanët, shumë zezakë e konsiderojnë qeverinë si mbrojtëse të interesave të komunitetit të tyre.

“Një i bardhë, për shembull, nuk mund të shkojë në një komunitet të zezakëve dhe të thotë: ‘ne kemi të njëjtat ideale si ju për individin dhe familjen’ dhe të kërkojë që afrikano-amerikanët të angazhohen në politika vendim-marrëse, që kanë një ndikim negativ për komunitetin”.

Por analisti Bositis i shikon gjërat më thellë.

“Për sa kohë që konservatorët e bardhë të jugut përbëjnë bërthamën e Partisë Republikane, votuesit zezakë nuk do ta mbështesin atë kurrë”.

Strategu republikan Feheri pohon dhe shpreson që kjo parti të heqë dorë nga politika e saj kundër qeverisë, nëse dëshiron të zgjerojë bazën e saj për të përfshirë afrikano-amerikanët.

“Mendoj se zoti Stiëll, thjesht me praninë e tij, mund të fillojë procesin që ta prezantojë partinë republikane jo si parti të meshkujve të bardhë”.

Në këto ditë vështirësish ekonomike, kur presidenti i ri përpiqet të bindë amerikanët për ligjin që ai thotë se do të krijojë miliona vende pune, zoti Stiëll vazhdon të mbajë një qëndrim konservator lidhur me shpenzimet qeveritare. Kryetari i ri i Partisë Republikane madje pohoi kohët e fundit se qeveria nuk ka krijuar kurrë as edhe një vend të vetëm pune. (ze)

XS
SM
MD
LG