Lidhje

Këshilli i Sigurimit drejt realizimit të reformave të shumëpritura

  • Margaret Beshir
  • Nju Jork

Vendet anëtare të OKB-së u takuan dje në një mbledhje jo-zyrtare, për të filluar bisedimet lidhur me çështje të rëndësishme për reformimin e Këshillit të Sigurimit, trupit të fuqishëm të organizatës. Shumë vende duan që Këshilli i Sigurimit prej 15 vendesh të zgjerohet me anëtarë të rinj, për të përfshirë një përfaqësim më të gjerë rajonal dhe anëtarë të tjerë të përhershëm.

Objekti i reformës së Këshillit të Sigurimit dhe zgjerimi i këtij organizmi, nuk është diçka e re. Kjo çështje është diskutuar për më tepër se 15 vjet. Por dje, anëtarët e tij më në fund u takuan për të gjetur një zgjidhje.

Diplomatët thonë se takimi privat ishte kryesisht për çështje proceduriale dhe se negocitat e rëndësishme do të fillojnë në fillim të marsit.

Çështjet që do të diskutohen janë përbërja e Këshillit të Sigurimit, cilat vende kanë të drejtën e vetos, përfaqësimi rajonal, me sa vende do të zgjerohet Këshilli i Sigurimit dhe cilat do të jenë metodat e punës, si dhe marrëdhënia mes Këshillit të Sigurimit dhe 192 vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme.

Në të shkuarën, procesi ka mbetur në vend për shkak të rivaliteteve rajonale dhe interesave kombëtare të vendeve të ndryshme dhe mbetet për t’u parë se si do të shkojnë punët në të ardhmen.

Ambasadori i Pakistanit në OKB, Husain Harun, është optimist. Ai thotë se në të kaluarën ka patur një numër të madh mospajtimesh me vendeve anëtare të OKB-së, por duket se tani ato po gjejnë një gjuhë të përbashkët.

"Mendoj se negociatat, pavarësisht nga idetë më negative të disa ekspertëve, do të shkojnë mirë. Mendoj gjithashtu se njerëzit do ta dëgjojnë njëri-tjetrin dhe se në se punojmë me shpirtin e bashkëpunimit, do të kemi një OKB shumë më të mirë," - tha ai.

Fuqi të mëdha rajonale, si Gjermania, Japonia, India dhe Brazili, kanë kohë që kërkojnë vende të përhershme në një Këshill Sigurimi të zgjeruar, me 25 vende, por pa patur menjëherë të drejtën e vetos. Vendet e Bashkimit Afrikan po ashtu kërkojnë vende të përhershme në Këshill.

Një propozim i veçantë nga një grup vendesh të konsideruara mesatarisht të fuqishme, kërkon shtimin e Këshillit të Sigurimit me 10 vende të tjera jo të përhershme, duke e dyfishuar numrin aktual.

SHBA kanë thënë se do ta mbështesin Japoninë dhe Gjermaninë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Sigurimit si anëtare të përhershme. Në tekstin e deklaratës së saj të lexuar në takimin me dyer të mbyllura, Ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice, thonte se SHBA mendojnë se legjitimiteti dhe shanset për sukses të Këshilli tët Sigurimit varen tek pasqyrimi i tyre i botës në shekullin e 21.

Ekuilibri i pushtetit i Këshillit të Sigurimit, ende vazhdon të pasqyrojë gjerësisht gjendjen e botës pas Luftës së Dytë Botërore, me Britaninë, Kinës, Francën, Rusinë dhe SHBA-në, të cilat kanë vende të përhershme, si edhe të drejtën e vetos. 10 vende të tjera zgjidhen me mandate dy-vjeçare.

Negociatat e rëndësishme lidhur me çështjen e anëtarësimit, fuqinë e vetos dhe përfaqësimin rajonal në Këshillin e Sigurimit, do të fillojnë më 4 mars.//lk

XS
SM
MD
LG