Lidhje

SHBA: Studentët e kanë të vështirë të gjejnë punë

  • Kathrin Kenën

Departamenti amerikan i punës thotë se niveli i papunësisë është rritur 7.6 përqind, ngritja më e madhe në 16 vjet. Për studentët e universiteteve që përqiqen të gjejnë punë, gjendja është mjaft e vështirë dhe disa prej tyre janë të detyruar të shikojnë për alternativa të tjera.

Për studentët e universiteteve që janë në prak të diplomimit, gjendja ekonomike e Shteteve të Bashkuara është shqetësuese.

"Mendoj se çdokush është disi nervoz”.

Laura Henry është studente në Universitetin George Washington dhe diplomohet brenda pak muajsh. Si shumë studentë të tjerë ajo ka aplikuar për të ndjekur studimet pasuniversitare.

"Kur përfundon studimet dhe pret të dalësh në jetë ndjen një preokupim të veçantë”.

Laura thotë se e ka patur në plan të vazhdojë ciklin e studimeve pasuniversitare dhe jo të kërkojë punë.

Marva Gumbs Jennings është drejtore ekzekutive e qendrës së karierës në Universitetin George Washington. Ajo thotë se një numër më i madh studentësh janë duke e ndjekur këtë alternativë.

"Zakonisht, në periudha normale ekonomike, rreth 25 përqind e studentëve vazhdojnë studimet pasuniversitare. Presim që këtë vit ky numër të jetë më i madh”.

Por zonja Jennings i inkurajon ata që duan të fillojnë punë që të jenë optimistë.

"Megjithëse dëgjojmë se disa kompani bëjnë shkurtime në nivelet e mesme e të larta, si dhe në nivelet drejtuese, ato vazhdojnë të marrin në punë në punonjës fillestarë”.

Universiteti Georgetown aty pranë është i njohur për përgatitjen e studentëve për të hyrë në shërbimin diplomatik.

Por një pjesë e studentëve të degëve të biznesit shkojnë në Nju Jork në kryeqytetin komercial të vendit.

Për ata që aspirojnë të punojnë në Wall Street, të gjejnë një punë sa për të filluar është e vështirë. Jeannette Frett është ndihmës dekania që ndihmon studentët për të gjetur punë.

"Në fakt është një treg i vështirë, por kjo nuk do të thotë se studentët nuk mund të jenë të suksesshëm”.

Sam Niburg dhe Jill Seibert janë duke përfunduar studimet për master në administrim bizneze dhe diplomohen në maj dhe kanë gjetur tashmë punë.

Ata këshillojnë studentët e tjerë se si të gjejnë punë. Niburg i këshillon studentët që të jenë fleksibël.

"Patjetër që duhet të përpiqesh për të gjetur punën që preferon, por dueht të kesh edhe një plan B e një plan C”.

Niburg thotë se ka mundësi punësimi edhe në tregun e sotëm, por çështja është se duhet të jesh i përgatitur për të paraqitur gjithë aftësitë e tua. (ze)

XS
SM
MD
LG