Lidhje

Barak Obama: Fillon ulja e taksave për 95 përqind të amerikanëve


Presidenti Obama tha se ulja e taksave do të pasqyrohet në pagat e amerikanëve shumë më shpejt se çdo kursim taksash në historinë e vendit. Kjo ulje taksash do të pasqyrohet në pagat e tyre brenda muajit mars. Në fjalimin e përjavshëm në radio dhe në Internet, zoti Obama tha se një familje mesatare amerikane do të përfitojë 65 dollarë në muaj nga kjo ulje.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti tha se ligji i miratuar nga Kongresi të cilin ai nënshkroi, do t’u bëjë të mundur shumicës së amerikanëve të kenë 65 dollar më tepër në muaj.

''Në saje të kësaj mase, 95 për qind të familjeve të punonjësve amerikanë do t’u shkurtohen taksat, po mbaj kështu premtimin që bëra gjatë fushatës elektorale. Kam kënaqësinë t’ju bëj të njohur, se Departamenti i Thesarit filloi t’i udhëzojë punonjësit që ta pakësojnë sasinë a parave qe mbahen për taksat nga pagesa e punonjësve.''

Zoti Obama e nënshkroi paketën e stimujve të marten e kaluar. Paketa mendohet se do të krijojë , ose shpëtojë rreth 3,5 milionë vende pune gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Ligji u miratua në të dyja dhomat e Kongresit, por ai thuajse nuk u mbështet fare nga opozita republikane. Në fjalimin e përjavshëm të partisë së tij, ligjvënësi republikan Dejv Kamp nga shteti i Miçiganit tha se partia e tij donte të miratonte një plan stimujsh, por se plani aktual përfshin shumë shpenzime të panevojshme.

''Republikanët duan me të vërtetë të punojnë me Presidentin për zgjidhjen e këtyre problemeve në mënyrë të përgjegjshme, që të mos u lemë brezave të ardhshëm një mal me borxhe,'' - tha zoti Kamp.

Presidenti thotë se do të duhet të trajtohen edhe aspekte të tjera të krizës ekonomike. Fillimisht, thotë ai, është ngadalësimi i procesit të humbjes së shtëpive nga njerëzit që nuk përballojnë dot pagesën mujore ndaj bankës, si dhe të rënies së vlerës së shtëpive. Të mërkurën e kaluar zoti Obama bëri të njohur një plan të ri për dhënien e 75 miliardë dollarëve për t’u ardhur në ndihmë rreth 9 milionë amerikanëve që të mos humbin shtëpitë.

Zoti Obama thotë se normalizimi i ekonomisë amerikane në krizë do të kërkojë edhe stabilizimin dhe riparimin e sistemit bankar dhe vënien nën kontroll të deficitit buxhetar, ndërsa ekonomia amerikane fillon të rimëkëmbet.

''Ne nuk mundet të trajtojmë me sukses ndonjërin prej problemeve tona pa u marrë me të gjitha ato paralelisht dhe pikërisht kjo është strategjia që ne po ndjekim,'' - tha Presidenti.

Sasia e madhe e shpenzimeve qeveritare në nismat ekonomike të zotit Obama pritet të çojë në atë që ai e quan “një mal me borxhe”. Të hënën Presidenti do të mbajë në Shtëpinë e Bardhë një takim për ‘përgjegjshmërinë fiskale’, ku do të diskutohet për mënyrat se si do të kontrollohet deficit buzhetar prej një trilion dollarësh.

Të martën zoti Obama do të mbajë një fjalim para dy dhomave të Kongresit, ku ai pritet të përqëndrohet tek ekonomia dhe përpjekjet e tij për rigjallërimin e saj.//lk






XS
SM
MD
LG