Lidhje

Ivanoviç: Plani gjashtë pikësh kusht për integrimin e serbëve në Kosovë


Autoritetet serbe ngulin këmbë në zbatimin e planit gjashtë pikësh të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara si kusht për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës. Sekretari shtetëror i ministrisë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se, u takon institucioneve ndërkombëtare që të bëjnë pjesën e tyre të punës për të vendosur kontakte dhe për të shmangur çdo mundësi të përplasjeve ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Në zyrën e tij në qendrën bashkërenduese për Kosovën, të qeverisë së Serbisë, në pjesën veriore të Mitrovicës, zoti Ivanoviç tha se gjendja në Kosovë nuk është aspak e lehtë dhe për këtë arsye duhet një zgjidhje konstruktive. Duke hedhur poshtë planin e zotit Marti Ahtisari në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, ai tërheq vërejtjen se plani gjashtë pikësh është miratuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara:

“Ne mund të merremi vesh se si do ta quajmë një dokument të ri, por në thelb ai duhet të ketë planin 6 pikësh i cili mundëson pjesmarrjen e përshtatshme të komunitetit serb në institucione por pa krijuar ndjenjën se ata janë detyruar në institucionet e Kosovës së pavarur”, thotë zoti Ivanoviç.

Por plani gjashtë pikësh që parasheh edhe një formë të autonomisë për policinë, drejtësinë e doganat në zonat e banuara me shumicë serbe është hedhur poshtë nga autoritetet e Prishtinës. Oliver Ivanoviç thotë se zbatimi i këtij plani do të ishte në të mirë të të gjithëve:

“Unë nuk shoh arsye praktike pse udhëheqësit në Prishtinë kundërshtojnë planin gjashtë pikësh. Thjesht, nëse ata duan të kenë sundim të ligjit në tërë territorin e Kosovës ata duhet të kujdesen që edhe serbët të jenë pjesë e policisë dhe drejtësisë. Kushtet në të cilat serbët mund të përfshihen në polici dhe drejtësi janë të përmendura në planin gjashtë pikësh dhe a do të zbatohen të gjitha pikat përnjëherë, që do të ishte zgjidhja më e mirë, apo një nga një, nuk është shumë me rëndësi, por në parim, serbët nuk do të jenë pjesë e policisë së Kosovës për aq sa nuk përmbushet ajo kërkesë e cila është e përcaktuar në këtë plan që përfshinë drejtësinë dhe fushat e tjera”.

Ai mendon se gjendja në terren nuk është aspak më e keqe në veri sesa në pjesët tjera të Kosovës dhe u bënë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtar që të mos përqendrohen vetëm në veri. Zoti Ivanoviç tërheq vërejtjen se serbët e Kosovës do të vazhdojnë të kenë besim në qeverinë e Serbisë e cila ka për detyrë që nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare të ushtrojë trysni tek pushteti në Prishtinë për të ndryshuar qasjen e tij ndaj komunitetit serb, duke i trajtuar ata si qytetarë të barabartë.

Ai nuk beson se mund të ketë një afrim ndërmjet komuniteteve veçanërisht pas 17 shkurtit të vitit të kaluar kur është shpallur pavarësia e Kosovës. Thellimi i hendekut, thotë ai, mund të jetë mjaft i rrezikshëm.

“Nga mungesa e komunikimit që është gjendja aktuale në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, deri tek moskuptimi dhe konflikti i mundshëm, nuk ka shumë dallim. Gjendja ekonomike, paqëndrueshmëria politike mund të nxisin konflikte të mundshme ndërmjet komunitetit serb dhe atij shqiptarë dhe këto janë pastaj konflikte më të gjera. Prandaj askush nuk duhet të mbyllë sytë, veçanërisht përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe të NATO-s të cilët edhe për shumë vjet do të jenë të pranishëm dhe të nevojshëm, meqë nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve atëherë duhet një i tretë që të na lidhë me njëri-tjetrin”.

Serbia, e mbështetur nga Rusia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të cilën deri tani e kanë njohur 55 vende të botës, ndër të cilat Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian. //ek

XS
SM
MD
LG