Lidhje

Vazhdon rënia në bursat botërore megjithë masat ekonomike


Uoll Striti vazhdon trajektoren e tij në rënie ndërkohë që pesimizmi i investitorëve po i ul ndjeshëm çmimet e aksioneve edhe në shkallë botërore. Dje, indekset kryesore të bursave aziatike ranë 2 përqind ndërsa ato në Europë, midis 3 dhe 5 përqind.

Rënia vjen megjithë masat e rëndësishme ekonomike që merre administrata Obama për të vënë në lëvizje ekonominë amerikane.

Megjithë planin prej 1 trilion dollarësh për stabilizimin e bankave amerikane, 75 miliardët për të ndihmuar pronarët e shtëpive dhe paketën 787 miliardëshe për stimulimin e ekonomisë, besimi i investitorëve mbetet i ulët. Strategu i financave Alan Skrainka.

"Investitorët nuk janë të bindur se këto programe do të funksionojnë dhe se janë të mjaftueshëm. Ndërkohë, lajmet ekonomike kanë qenë shumë të këqia dhe ata nuk shikojnë dritë në fund të tunelit."

Administrata Obama ka thënë se dalja nga kriza nuk do të jetë as e shpejtë dhe as e lehtë. Por Presidenti Obama tha dje në takimin e kryebashkiakëve se durimi i amerikanëve do të shpërblehet.

"Ky plan nuk shënon fundin e asaj që ne do të bëjmë së bashku . Ai është vetëm fillimi. Prandaj na takon neve të shfrytëzojmë mundësitë e momentit dhe ta kthejmë rrezikun në premtim."

Por mendjet e investitorëve i ka pushtuar ndjenja e rrezikut. Indekset europiane të bursës ranë në nivelet më të ulta të 6 vjetëve të fundit. E njëjta gjë ndodhi edhe në Azi. Analisti i investimeve në Hong Kong Francis Lun thotë se rënien e bursës e nxitën edhe problemet e bankave në Azi dhe Europë. Sidoqoftë, thotë analistiSam Stovall sa më shpejt që tregjet të arrijnë fundit, aq më shpejt do të fillojë edhe ngritja e tyre.

"Çmimet e aksioneve arrijnë pikën më të ulët rreth 5 muaj para mbarimit të recesionit ose 8 muaj para se papunësia të arrijë kulmin dhe fitimet e kompanive të bursës të arrijnë minimumin e tyre. "

Ndonëse fitimet në aksionet e kompanive teknologjike ishin diçka më të mira se sa shpresohej, kjo nuk e ndihmoi treguesin e bursës së Nju Jorkut, Dau Xhouns, i cili dje përsëri u mbyll me humbje në nivelin më të ulët në 11 vjetët e fundit. //kk//

XS
SM
MD
LG