Lidhje

Shqiptarët dhe serbët kalojnë fundjavat sëbashku në Brezovicë


Pika turistike malore e Brezovicës është një ndër të vetmet vende ku shqiptarët dhe serbë kalojnë së bashku një ditë pushimi. Ndërsa në pjesën tjetër të Kosovës vazhdojnë të vihen re problemet ndëretnike, kjo pikë shërben si një ndër shembujt e pakët për bashkëjetesën normale mes komuniteteve.

Kjo nuk ndodh shpesh në Kosovë edhe pse kanë kaluar rreth dhjetë vjet që prej fundit të luftës. Brezovica është ndër të paktat vende ku njerëzit e harrojnë politikën. Sasha Iliç, një serb i Kosovës që viziton shpesh këtë pikë turistike thotë se sporti i bashkon njerëzit. Ai thotë se Brezovica ofron një shembull të veçantë të tolerancës etnike.

"Ky është i vetmi shembull ku serbët dhe shqiptarët jetojnë së bashku. Është një shembull pozitiv për Kosovën dhe do të ishte më mirë të kishim më shumë të tillë. Këtu madje vijnë edhe njerëz nga Beogradi dhe Tirana dhe gjithçka kalon mirë".

Vetëm 100 km më larg në veri të Brezovicës, shqiptarët dhe serbët jetojnë ndarazi në Mitrovicën e tensionuar. Ky qytet është bërë simboli i ndarjes etnike në Kosovë. Brezovica është krejtësisht e kundërt me Mitrovicën.

46 vjeçari, Kreshnik Spahiu thotë se ai viziton Brezovicën çdo fundjavë dhe ka shumë miq serbë megjithëse kanë bindje të ndryshme mbi politikat e rajonit. Siç thotë ai atmosfera është shumë e këndshme.

"Nuk më duket se është e vështirë të shpjegohet që ky është një sport dhe në të gjithë botën sportistët jetojnë në një familje të përbashkët. Këtu në Brezovicë ndodh e njëjta gjë".

Por megjithatë vitet e konfliktit kanë dëmtuar rëndë ekonominë në këtë zonë.

Hotelet në Brezovicë janë gati bosh dhe vetëm një grup i vogël punonjësish ndërkombëtarë në Prishtinë kalojnë natën atje. Energjia elektrike në Kosovë ka shpesh probleme.

Nuk është e rrallë që skiatorët të mbeten të bllokuar në teleferikë duke pritur që punonjësit përgjegjës të ndezin gjeneratorët.//mm//

XS
SM
MD
LG